“Ishte një veprim i mirë, i cili duhet të ishte bërë shumë vite më parë. Athina tashmë ka njoftuar Romën dhe Tiranën”. Kështu u shpreh një diplomat me përvojë për mediat greke, shkruan Protothema.gr lidhur me kufirin detar.

E ndërsa me Italinë marrëveshja u arrit, radhën e ka Shqipëria, por ende nuk ka asgjë konkrete, pavarësisht negociatave që vijojnë prej disa vitesh.

Protothema vijon më tej duke theksuar se zgjerimi i ujërave territoriale të një vendi në 12 milje detare është një vendim që nuk kërkon marrëveshjen e shteteve, por mund të bëhet në mënyrë të njëanshme.

“Athina, duke dashur të tregojë gatishmërinë e saj për bashkëpunimin rajonal, tashmë ka njoftuar Romën dhe Tiranën, një mision i ndërmarrë nga Ministri i Jashtëm Nikos Dendias në bisedime me homologët e tij italianë dhe shqiptarë.

Në fakt, kryeministri njoftoi paraprakisht se Nikos Dendias së shpejti do të vizitojë Tiranën për të diskutuar me qeverinë shqiptare zgjidhjen përfundimtare të përcaktimit në pritje të zonave të detit” thuhet në shkrim.

Kryeministri grek Mitsotakis u shpreh sot se amendamenti do të bëhet publik së shpejti dhe është i bazuar në nenin e tretë të Ligjit Ndërkombëtar detar, i cili thekson se shtetet kanë të drejtë të zgjerojnë kufijtë e tyre deri në 12 milje detare.

Ministri i Jashtëm Nikos Dendias do të udhëtojë në Tiranë për të biseduar me homologun e tij të Shqipërisë për demarkacionin në kufijtë detarë midis dy vendeve fqinje, një projekt që është punuar gjatë viteve të fundit.

Artikulli paraprakBASHA THIRRJE SHQIPTARËVE NË MAL TË ZI: VOTONI PARTITË SHQIPTARE
Artikulli tjetërPUSHIMET KTHEHEN NË TRAGJEDI, U FUTËN PËR T’U LARË NË DET, MBYTET BABAI, SHPËTON VAJZA