Ishte seanca parlamentare e 31 janarit 2019, më pak se një muaj para se opozita të digjte mandatet kur kryeministri Edi Rama në debat me ish-kryeministrin Sali Berisha aludonte se ai ishte i padëshiruar nga SHBA.

Pas akuzave nga Berisha për bashkëshorten e tij dhe ABI Bank, Rama e pyeste Berishën nëse e kalonte dot oqeanin.

“Tani meqë ju e doni me Amerikën dhe meqë ju i dini shqiptarët në vitin 2019 kaq të pashëtitur dhe të pamësuar sa mendoni se mund t’i tërhiqni pas vetes duke thënë ‘e tha Amerika’, mund t’ju them se me Amerikën kjo qeveri dhe unë personalisht komunikoj drejtpërdrejt dhe pas kësaj fjale do jem i detyruar t’ju lë sepse jam në pritje të një komunikimi të drejtpërdrejt me Shtëpinë e Bardhë dhe në varësi të sa do të jem i autorizuar t’ju them do ju informoj patjetër. Do ju informoj patjetër. Saliu këtu e nisi fjalën e tij natyrisht me Amerikën dhe më bëri mua një pyetje të drejtpërdrejt për bashkëshorten time. S’jam përgjigjur kurrë por sot do përgjigjem sepse dua të bëj dhe unë një pyetje. Sali, ABI Bank është një bankë e cila monitorohet drejtpërdrejt nga enti i bankave të SHBA-ve dhe nëse bashkëshortja ime do ishte aksionere të jesh i sigurt se mua nuk do më lejonin të kapërceja më oqeanin. Tani kam një pyetje për ty, ti Sali e kapërcen dot oqeanin me dashtë? Më bërë një pyetje të drejtpërdrejt dhe ta dhashë përgjigjen dhe po të bëj unë një pyetje të drejtpërdrejt. Nëse do isha ai që përshkruani ju të jeni i sigurt se nuk do e kapërceja dot oqeanin, e jo më të komunikojë me Shtëpinë e bardhë me kërkesë të Shtëpisë së Bardhë, se unë nuk kam mundësi”,
deklaroi Rama.

Ndërsa në përgjigjen e tij në të njëjtën seancë, Berisha tha se merr ftesa ccdo muaj por se nuk udhëton për qëllime zyrtare askund.

“Edi na thuaj zonja Basha ka opsione ose aksione në Bankë, off shore. Na thuaj si shkove me bisht në shalë në Berlin.
Kur unë largova nga aktiviteti, nuk kam bërë dhe kam refuzuar çdo lloj ftese nga kushdo që më ka ardhur për arsye më së shumti përfaqëson zgjedhës në parlament, por më së shumti është person privat. Kam marrë ftesa nga përtej oqeanit më shumë ftesa se askush tjetër. Por iu jam përgjigjur se nuk mundem pasi nuk jam person që përfaqësoj një forcë politike por veten time. Çdo muaj marr ftesa dhe marr por e kam të vendosur se nuk udhëtoj për qëllime zyrtare as kurrkund. Të më teket kur të më teket, Edi Rama me SHBA-të kam arritur atë që s’mund ta arrish dot ti kurrë.
Kanë qenë republikanë, kanë qenë demokratë nuk ia kam thënë turp i qytetërimit siç i ke thënë ti Trump dhe pastaj jep 20 mln dollarë për ta takuar. Kam qëndruar në pozicionin me dinjitet të çdo shqiptari”
, deklaronte Berisha.

Por kryeministri ka këmbëngulur sërish në pyetjen e tij.

“Unë nuk të pyeta a ke marrë ftesa nga SHBA-të. Dhe nga ana tjetër duke menduar se si ta japësh përgjigjen pa dhënë përgjigje, the unë nuk dal më jashtë shtetit për arsye pune. Por ti jo vetëm del jashtë shtetit, por merr për krahu Fatmir Mediun dhe shkon në Bundestag dhe nuk lë llaf pa thënë. Unë të pyeta ti me dasht e kalon dot Oqeanin apo jo?”, tha Rama.

Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken ka shpallur sot të papërshtatshëm për të hyrë në SHBA, ish-presidentin dhe ish-kryeministrin Sali Berisha.
Blinken është shprehur me anë të një postimi në Twitter se, aktet korruptive të ish-presidentit të Shqipërisë, Sali Berisha minuan demokracinë në Shqipëri.

Blinken ka shpallur publikisht Berishën dhe anëtarët e familjes së tij si të papërshtatshëm për të hyrë në Shtetet e Bashkuara. Blinken theksoi se SHBA mbetet e bashkuar kundër korrupsionit me partnerët në Shqipëri.

“Aktet korruptive të ish-presidentit të Shqipërisë, Sali Berisha minuan demokracinë në Shqipëri. Unë shpall publikisht Berishën dhe anëtarët e familjes së tij si të papërshtatshëm për të hyrë në Shtetet e Bashkuara. Ne mbetemi të bashkuar kundër korrupsionit me partnerët tanë në Shqipëri”, është shprehur Blinken.

Artikulli paraprakSHKODËR, DYFISHOHEN ÇMIMET E BILETAVE PËR FLUTURIMET
Artikulli tjetërDASH SHPALLI ‘NON GRATA’ SALI BERISHËN DHE FAMILJEN E TIJ, VJEN REAGIMI I PARË NGA PD