Shumë të dashur vëllezër dhe motra.

Me zemër të mirë Kurban Bajramin e këtij viti! Në fakt, çfarë zemre mund të jetë ajo që nuk ndjen, rrethuar nga padrejtësitë, dhembjet e ymmetit, rënkimet e kombit, e sotmja anarkike dhe frika për të ardhmen e një shoqërie dhe një njerëzimi zhytur në pellgjet e papërgjegjshmërisë, padijes, afetarizimit dhe imorales?!

Nga Meka e bekuar, po ndjek me vëmendje zhvillimet e Haxhit të sivjetshëm. Takova para pak ditësh tre haxhilerët e vetëm nga Kili i largët, pa përmendur të tjerë nga mbarë globi, që madhërojnë së bashku të Vetmin Zot të gjithësisë, duke iu përgjigjur me përulje Thirrjes së Tij për Haxhin e sivjetshëm. Hija e keqe e terrorit dhe vrasjes, shkatërrimit dhe përçarjes, ka kapluar kontinentin tonë, prej ku dëgjohen akoma sot, në vitin 2017, deklarata të papërgjegjshme, krejtësisht raciste dhe injorante kundër lirive dhe besimit, nga protagonistë të diplomacive evropiane, por jo vetëm!

Vendi ynë përpëlitet në krahët e statuseve plot elokuencë në rrjetet sociale, që natyrshëm as e zgjidhin katrahurën ku është katandisur, as ndjellin rreze optimizmi për një shoqëri në dilemë e kaos, me mekanizma thuajse të kalbura, për të pritur një lëvizje të rregullt e progresive të lokomotivës së saj! Lutjet e mia të përzemërta janë që ky Bajram të vijë sa më i mbarë dhe plot bekim e shpresë për kombin tonë dhe mbarë njerëzimin, që bota islame të zgjohet dhe ky civilizim dështak, (që Njerëzimit i solli vetëm luftra e shkatërrim, padrejtësi e hipokrizi, përparim teknologjik pa ekuilibër moral dhe stereotipe pa ujë fytyre, në fusha të ndryshme të jetës), të mbetet pjesë e së shkuarës së errët të njeriut që ia ktheu shpinën Zotit!

Ju ftoj të ktheni fytyrën nga Zoti, t’ia hapni derën e zemrës dhe t’ia dorëzoni atë, pa lejuar ndërmjetësinë e dikujt a ndërhyrjen abuzive, që e kthen njeriun në skllav të njeriut, jo në krijesën më të dashur të Zotit, të përulurin me dashni para Duarve të Tij! Ju ftoj të paqtoni zemrat me njëri-tjetrin, të falni me dinjitet të afërmit tuaj, të forconi ndjenjën e besimit dhe të luteni për Rizgjimin e madh dhe Rimëkëmbjen e paevitueshme të Ymmetit Islam, duke u lutur dhe punuar njëkohësisht për të qenë pjesë integrale e këtij procesi të bekuar, që ka në dorë shërimin e botës dhe kthimin e ditëve të saj në Bajrame!

Gëzuar Kurban Bajramin!

Artikulli paraprakKLSH DREJT PENALIZIMIT TË KËSHILLTARËVE
Artikulli tjetër“FESTA E MIQËSISË” MBËRRIN NË SHKODËR