Laçi fiton 3-0 me Vllazninë duke qenë më larg rënies nga kategoria Superiore ndërsa shkodranët rikthehen rrezikshëm në luftën për mbijetesë.

Tashmë duhen vetëm 2 javë që kampionati të mbyllet dhe ekipi kuqeblu është përsëri në vallen e mbijetesës. Nga ana tjetër laçianët kanë arritur që të marrin një fitore të pastër ndaj Vllaznisë që i vlen shumë në këtë fund kampionati. Pjesa e parë është më e balancuar mes të dy ekipeve ndërsa shkodranët duken se kishin shkuar për të marrë barazimin ndaj kurbinasve. Kur pritej mbyllja e pjesës së parë laçianët fitojnë një penallti në minutën e 44 pas një pengimi në zonën e Vllaznisë. Ai që kthen në gol 11-metërshin është ish-futbollisti i kuqebluve Erjon Vucaj në minutën e 44. Skuadrat shkojnë në dhomat e zhveshjes me epërsinë e Laçit. Në 45 minutat e dyta laçianët luajnë më mirë dhe dominojnë ndaj Vllaznisë. Është minuta e 52’ kur vendasit përmes një aksioni në të majtë kombinojnë mirë derisa Qaqi del i lirë brenda zonës dhe godet tokazi duke mposhtur portierin Selimaj dhe duke çuar në 2-0 rezultatin. Ky është goli i qetësisë për kurbinasit. Vllaznia nuk ka forcën e duhur për të reaguar ndërsa laçianët administrojnë pjesën e mbetur të kësaj sfide. Laçi mbyll llogaritë në këtë përballje në minutën e 73 kur Mensah bën një kalim të bukur dhe del i vetëm me portierin duke realizuar kështu golin e tretë. Laçianët pas kësaj fitoreje shkojnë në kuotën e 36 pikëvë duke vështirësuar situatën në zonën e ftohtë për Tiranën, Flamurtarin Teutën dhe Vllazninë. Tashmë duhen edhe dy javë për t’u mbyllur kampionati dhe janë në luftën për mbijetesë 5 ekipe. Vllaznia ndeshjen e parafundit e ka sërish në transfertë me rivalët e Teutës ndërsa sfidën e fundit e ka me një tjetër skuadër rivale Tiranën në Shkodër. Në këto dy takime Vllaznisë i nevojitet të paktën një pikë për të siguruar qëndrimin në Superligë, në të kundërt rrezikojnë jo pak rënien në Kategorinë e Parë.

Artikulli paraprakKAPET SASI E MADHE DROGE NË ITALI, ARRESTOHET SHQIPTARI
Artikulli tjetërSEKUESTROHEN DY GOMONE, DYSHOHET SE DO PËRDORESHIN PËR TRAFIK DROGE