Kjo është video e momentit të arrestimit të vëllait të deputetit të PS në Lezhë Eduart Ndreca, shtetasit Armando Ndreca një ditë më parë. Star Plus Tv ka siguruar videon e arrestimit në operacionin anti drogë që u zhvillua gjatë 11 prillit nga policia e Lezhës dhe Forcat Operacionale. Në këtë aksion të policisë janë arrestuar 3 persona, mes të cilëve edhe Armando Ndreca, kunati i këtij të fundit Armel Nikndukaj dhe shoku i tij, Elvis Shpellzai 28 vjeç. Sipas njoftimit të policisë kunati i Armando Ndrecës dhe bashkëpunëtori i tij (Shpellzai) u kapën në flagrancë brenda një stani me kanabis në pyjet e fshatit Kashnjet. Kurse vëllai i deputetit u ndalua pas hetimeve pasi dyshohet se është i përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

“Gjatë operacionit, në pyjet e fshatit Kashnjet, u zbulua një ambient (stan) i përshtatur me llamba që furnizoheshin me lidhje të paligjshme të energjisë elektrike, për kultivim të bimëve narkotike cannabis sativa. Policia njoftoi se gjithashtu, u bë i mundur identifikimi, kapja dhe arrestimi në flagrancë i autorëve të dyshuar të këtij rasti, shtetasve Armel Nikndukaj dhe Elvis Shpellzai, 28 vjeç, të dy banues në Koplik. Më tej, në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale për këtë rast u ndalua dhe shtetasi Armando Ndreca, 32 vjeç, banues në Lezhë, pasi dyshohet se është i përfshirë në këtë veprimtari kriminale”,- thuhet në njoftimin e bluve.

Ndërkohë në ambjentin e zbuluar në Kashnjet, policia ka sekuestruar 2973 bimë narkotike (disa prej tyre fidanë të gatshëm për t’u kultivuar në tokë), një sasi lënde narkotike kanabis, 50 llamba, pajisje ventilimi, sende të tjera që i shërbenin kësaj veprimtarie kriminale dhe 3 celularë. Ndërsa në banesat e 2 të arrestuarve në flagrancë, policia ka gjetur dhe sekuestruar 3 armë të ftohta dhe 1 maskë. Burime nga grupi hetimor bënë të ditur se oficerët e antidrogës kanë mbajtur në vëzhgim prej disa muajsh dy kultivuesit e kanabisit. Po kështu telefonat e tyre kanë qenë në përgjim, ku Armel Nikdukaj ka folur me kunatin e tij Armando Ndreca lidhur me parcelën me kanabis.

Artikulli paraprak“KEMI PROCEDUAR ANËTARË TË GJL DHE GJK”, DUMANI: KA PASUR RASTE EDHE TË SEKUESTRIMEVE TË PASURISË, KPK DHE KPA DUHET…
Artikulli tjetërA MUND TË ZËVENDËSOJNË ROBOTËT NJERËZIT NË KËRKIMET NËNUJORE?