
Tensionohet përsëri situata te Vllaznia vetëm pak ditë para ndeshjes me Dinamon. Futbollistët kuqeblu kanë bojkotuar seancën stërvitore, ndërsa shkak janë bërë pagat e prapambetura që pretendojnë se u detyrohen drejtuesit e klubit.
Në seancën e parashikuar për herë të dytë ditën e sotme, nga ekipi i parë fillimisht janë paraqitur vetëm katër futbollistë të rinj, Bizi, Uldedaj, Tahiri dhe Ara, ndërsa pjesa tjetër e skuadrës ka munguar. Në ambientet e stërvitjes kanë qenë të pranishëm presidenti Alban Xhaferi dhe drejtori i ri sportiv Alban Hasani, të cilët kanë zhvilluar një mbledhje me pjesëtarët e ekipit.
Pas takimit, katër futbollistët dhe trajneri kanë dalë në fushë për të zhvilluar seancën stërvitore, ndërsa situata mbetet e tensionuar dhe e paqartë. Bojkoti vjen në një moment delikat për Vllazninë, e cila po përgatitet për përballjen me Dinamon më 11 tetor në stadiumin “Loro Boriçi”.
Kuqeblutë ndodhen në vendin e fundit pas pesë javëve të para me vetëm dy pikë dhe çdo problem i brendshëm mund të ndikojë në përgatitjet dhe paraqitjen e skuadrës në këtë sfidë të rëndësishme.
Maringlen ZHIVANI


