Në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve përfundoi procesi i zëvendësimit të deputetëve opozitarë që dogjën mandatet në muajin shkurt.

Sot në KQZ dorëzoi formularin e dekriminalizimit edhe kandidati i fundit i LSI-së, Ramadan Gjuzi i cili ishte pjesë e listës së Tiranës. Në këtë mënyrë, 17 vendet e lëna bosh nga LSI zëvendësohen 100 %.

Por në Partinë Demokratike, situata është ndryshe. Selia blu dogji 41 karrige, por 23 vende janë plotësuar. Tashmë KQZ ka thirrur të gjithë kandidatët e listave, dhe askush nuk ka pranuar mandatin. Në këto kushte kur mundësitë kanë shteruar, nga vendet e PD në Kuvend kanë ngelur 18 karrige bosh.

Qarku Fier është ndër më besnikët. Asnjë nga tre mandatet e djegura nuk janë zëvendësuar. Tirana ka rrjedhjet më të mëdha. Vetëm 2 vende janë bosh, dhe 8 të tjerë kanë pranuar mandatet. Në Dibër një mandat është zëvendësuar dhe një karrige është bosh.

Nga katër të djegurit e Durrësit, vetëm dy karrige janë plotësuar. Në Vlorë është bosh një vend, teksa 2 kanë pranuar mandatin. Të 4 mandatet e djegura të Korcës janë zëvendësuar.

Në Shkodër janë bosh tre karrige, dhe janë zëvendësuar 2 deputetë. Edhe Berati është zëvendësuar tërësisht. Në Lezhë nuk ka asnjë “tradhëtar” demokrat. Të tre karriget e djegura janë bosh. Karrigia e vetme e djegur në Gjirokastër është plotësuar, ndërsa në Elbasan janë dhe dy karrige bosh, ndërsa vetëm 1 pranoi mandatin.

Në total, janë 39 deputetë të opozitës së re që kanë zënë karriget, nga 58 që dogjën mandatet. Parlamenti ka 122 mandate dhe 18 mandate i mungojnë.

Kujtojmë që pak ditë më parë Vangjel Dule i kërkoi Presidentit Meta të shpërndajë parlamentin pasi nuk ka 140 deputetë, propozim për të cilin Presidenti nuk ka bërë asnjë koment.

Artikulli paraprakSULMI ME BOMBË NË LYON, ARRESTOHEN BURRË E GRUA DHE DY TË TJERË
Artikulli tjetërSEKUESTRIMI I 613 KG KOKAINË, KRIMET E RËNDA ÇOJNË PËR GJYKIM ARBËR ÇEKAJN