Lufta për drogën, bandat shqiptare 50 të arrestuar në javë

Policia britanike po përballet aktualisht me një valë krimi shqiptar, me deri 50 kriminelë të arrestuar çdo javë, mes një lufte bandash të lidhur me drogën. Të dhënat e reja kanë zbuluar se mijëra njerëz nga Shqipëria janë në burgjet britanike për vrasje, rime seksuale, shpërndarje droge, pastrim parash, trafik njerëzish dhe kërcënime me vdekje. Shifrat e paraqitura pasojnë paralajmërimet e Agjensisë Kombëtare të Krimit (NCA) për bandat e shpërndarësve shqiptarë të drogës që tashmë përbëjnë një “kërcënim domethënës” në rrugët britanike, me nivel në rritje të brutalitetit të pamëshirshëm karshi viktimave. Shefat e policisë thonë se grupe krimi të organizuar nga Shqipëria tani kanë influencë të madhe në furnizimin me kokainë në të gjithë vendin dhe janë të gatshëm për dhunë për të mbrojtur tregun e paligjshëm fitimprurës. Vitin e kaluar, policia arrestoi 2781 shqiptarë të dyshuar për krime, një shifër 8% më e lartë se 2578 të arrestuar më 2015. Këto shifra tregojnë se 1 në 11 nga 32 mijë shqiptarët e ardhur, rezidentë në Angli e Uells, është arrestuar, ndonëse disa individë mund të jenë prangosur më tepër se një herë. Mijëra shqiptarë të lejuar në Britaninë e Madhe dyshohet se kanë adoptuar identitete fals si kosovarë, duke deklaruar se kanë qenë të persekutuar gjatë konfliktit të 18 viteve më parë. Këta mashtrues tani kanë krijuar frontin e drogës dhe prostitucionit në rrugët e Britanisë. Eurodeputetja Jane Collins, e Partisë Pavarësia, tha: “Numri i shqiptarëve që janë këtu ilegalisht e të arrestuar për krime tregon se kufijtë tanë nuk e kryejnë funksionin e tyre, ndonëse ne jemi ishull. Më duket se kemi njerëz në qeveri dhe në Ministrinë e Brendshme me pikëpamje të shekullit të 16-të për sa i përket manaxhimit të kufijve, teksa bandat e trafikimit zhvillojnë strategji të reja çdo ditë për të futur ilegalisht ngarkesat e tyre njerëzore”. Në fund të qershorit, në burgje ishin 649 shqiptarë, duke e bërë grupin e tretë më të madh të të huajve pas hekurave. Sipas raportit të NCA, kriminelët nga Ballkani po forcojnë përherë e më shumë lidhjet direkt me trafikantët e drogës nga Amerika e Jugut. “Kërcënimi që vjen nga grupet shqiptare është domethënëse. Londra është qendra e tyre kryesore, por janë vendosur kudo në Mbretërinë e Bashkuar”, thotë dokumenti. Në kryeqytet janë arrestuar në total 1325 shqiptarë, 225 në West Midlands, ndjekur nga Sussex (140), Greater Manchester (107) dhe Kent (95). Në një rast të vitit të kaluar, një bandë prej 20 shqiptarësh, të cilët përdornin pasaporta false italiane dhe greke, kishin një rrjet droge që funksiononte 24 orë në Manchester, duke pasur si objektiv kryesor klubet e natës, ndërkohë që jetonin në apartamente luksoze në qendër të qytetit. Banditët e armatosur visheshin me rroba firmato dhe e ushtronin aktivitetin në disa nga qendrat e natës më ekskluzive. Ata njoheshin thjesht si “The Albanians”, Shqiptarët, dhe operonin edhe një linjë telefonike të sofistikuar për shpërndarjen e drogës. Një nga “lojtarët” kryesorë, Mevlan Gjeta, 33 vjeç, u burgos tetë vjet pasi u kap me një kile kokainë plus 55 mijë sterlina në apartamentin e tij.

Artikulli paraprakVUCAJ: I LUMTUR QË NISËM MBARË
Artikulli tjetërPRESIDENTI META THËRRET MBLEDHJEN E PARË SI KREU KLD-SË