Mahniti Austrinë me talentin e saj,ndërron jetë shkencëtarja shqiptare

Është ndarë nga jeta në moshën 35-vjeçare shkencëtarja shqiptare Vlorë Mehmeti-Tërshani. Shkencëtarja ka ndërruar jetë në Vjenë të Austrisë, pasi vuante nga një sëmundje e rëndë. Lajmin e hidhur e ka bërë të ditur stomatologu Xheladin Ujkani, njëherësh drejtori i Organizatës për Arsim, Shkencë dhe Shëndetësi “KISCOMS”. Vlora ishte e para dhe e vetmja nxënëse emigrantë, që në gjithë historinë e gjimnazit në Vjenë, nuk e përsëriti klasën sipas rregullores për përvetësimin e gjuhës, duke mbaruar me rezultate të larta dhe afat rekord, dhe duke i cilësuar për këtë një rast i veçantë. Vlora Mehmeti – Tërshani, ka lindur me 20.03.1982 në fshatin Beçiq të Drenicës, Komuna e Vushtrrisë. Vlora rrjedhë nga një familje arsimdashëse dhe atdhedashëse. Babai i saj, Hazir Mehmeti ishte ndër profesorët e parë të Biologjisë në Drenicë dhe aktualisht Kryetar i shoqatës së mësuesve shqiptarë “Naim Frashëri” në Austri. Në vitin 1988, pas rrethanave të reja të krijuara në Drenicë, pjesën e mbetur të gjimnazit që kishte filluar në Vushtrri, Vlora e vazhdoi në gjimnazin“Schoppenhauerstrasse, BRG 18” të Vjenës, ku në tërë historinë e gjimnazit është e para dhe e vetmja nga nxënësit emigrantë, e cila nuk e përsërit klasën sipas rregullores për përvetësimin e gjuhës. Për këtë rast, i cilësuar si rast i veçantë, kujdestarja e klasës e informon Ministrin e Mësimit të Austrisë. Me nota të larta dhe afat rekord, ajo kreu gjimnazin.Sukseset e Vlorës në fushën e shkencës nuk kishin të ndalur. Ajo me lehtësi regjistroi Fakultetin e Farmacisë në Universitetin Shtetëror të Vjenës, Magjistraturën në Tokushima (Tokushima Bunri Unviersity, Japoni), tek Profesori i njohur Asakaëa Yoshinori, në gjuhën angleze, duke u vlerësuar me notë të lartë dhe mbrojtur temën me vlerësim maksimal. Studimet e doktoratës i ka përfunduar në shtator të vitit 2016 në drejtimin e Mikrobiologjisë në Universitetin e Vjenës.Vlora nga përfundimi i studimeve në Vjenë, punonte në Universitetin më të vjetër në hapësirën gjermanofolës edhe njërin ndër universitetet më të mëdhenj në Evropën qendrore, Universitetin e Vjenës. Ajo ishte e angazhuar si punëtore shkencore në Departmentin për Ekogjenomikë dhe Systembiologji (Department of Ecogenomics and Systems Biology), në sektorin laboratorik të njohur për hulumtime shkencore, njërin nga më të njohurit në sferën e biologjise molekulare në botë. Me punët e saja hulumtuese, shkencëtarja shqiptare e ka prezantuar Universitetin e Vjenës në shumë kongrese botërore të hulumtuesve nga lëmi i farmacisë, biologjise molekulare dhe kudo që u shfaq, mori vlerësime të larta për rezultatet hulumtuese. Këto hulumtime u botuan në revistat shkencore më prestigjioze të qendrave shkencore botërore. Vlora ka qenë edhe bashkëpunëtore profesionale dhe përfaqësuese e Organizatës për Arsim, Shkencë dhe Shëndetësi “KISCOMS” në Austri.

Artikulli paraprakPO FLUTURONTE MBI ATLANTIK, AEROPLANIT ME 496 PASAGJERË I PRISHET MOTORI
Artikulli tjetërPLAGOSET ME ARMË ZJARRI NJË PERSON NË HIMARË