Dy të rinj kanë humbur jetën nga një aksident mbrëmjen e sotme. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 21:00 në fshatin Arapaj të Roskovecit. Një makinë që po lëvizte me shpejtësi ka dalë nga rruga duke përfunduar mbi trotuar ku kishin ndalur dy të rinjtë duke i marrë përpara.

Përplasja ka qenë fatale dhe dy kushërinjtë e parë, Amarildo Dogani dhe Festim Dogani rreth 25 vjeç, humbën jetën në vend. Policia ka mbërritur në vendin e ngjarjes duke nisur hetimet, ndërsa nga të dhënat e para nga grupi hetimor mësohet se shkak ka qenë shpejtësia me të cilën po lëvizte makina dhe mungesa e ndriçimit në rrugë.

Ndërkohë që drejtuesi i makinës që shkaktoi aksidentin e rëndë është ndaluar nga policia. Në Shqipëri në javët e fundit janë shënuar shumë aksidente me vdekje. Sipas një raporti të INSTAT në 7 muajt e fundit në vendin tonë kanë humbur jetën mbi 120 persona dhe shumë të tjerë janë plagosur nga aksidentet që janë regjistruar.

Një banor i fshatit Arapaj pas aksidentit u shpreh se kjo është ngjarja e tretë që ndodh brenda dy muajve, ndërsa shkak është mungesa e ndriçimit. Ai tha se dy kushërinjtë ishin duke biseduar në trotuar kur janë përplasur nga makina.

Ishin në trotuar duke biseduar, erdhi makina dhe i përplasi. Viktimat i njoh, janë kushërinj të parë. Ky është i treti aksident brenda dy muajve. Rruga nuk ka as ndriçim, as viza, as bordura dhe asgjë.

 

 

Artikulli paraprakSHBA :TË SHTËNA ME ARMË BRENDA NJË KOMPLEKSI, 4 TË VDEKUR
Artikulli tjetërSULMI NË FLORIDA, NË MESIN E TË PLAGOSURVE DHE NJË I RI SHQIPTAR