Autoritetet kufitare të Maqedonisë së Veriut kanë arritur të kapin në flagrancë 11 emigrantë gjatë 2 javëve të fundit, të cilët tentuan të futeshin në territorin maqedonas.

Emigrantët ishin me origjinë nga Siria, Pakistani, Kameruni dhe Kongo.

Ata tentuan të futeshin në mënyrë të paligjshme në RMV në pikën kufitare të Bogorodicës, gjatë dy javëve të fundit.

Kapja e 11 emigrantëve është e ndarë në 3 raste dhe ditë të ndryshme, por e përbashkëta mes tyre është që të gjithë tentuan të kalonin kufirin maqedonas të fshehur në kamionë me targa polake.

Konstatimi i tyre u bë nga autoritetet gjatë kalimit në skaner të kamionëve.

E ashtuquajtura “Rruga e Ballkanit” kryesisht lëviz nga Turqia dhe Greqia, përmes Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë drejt vendeve evropiane që është destinacioni kryesor i migrantëve. Ata ikin nga zhvillimet luftarake dhe jostabilitetit ekonomik në vendet e tyre të origjinës.

Për këtë rrugë të rrezikshme trafikantëve u paguajnë shuma të majme të parave, kurse shpeshherë përfundojnë të plagosur, të rrahur, madje edhe të vdekur.

Artikulli paraprakPANTHERS SHKODRA NË FINALE TË SUPERKUPËS
Artikulli tjetërMASSAFRA: KRIMET MAKABRE SEPSE JEMI LARG ZOTIT