Gjysmë ore para se të dorëzojë postin e ministrit, Nikolla Todorov në hyrje të ministrisë së shëndetësisë u sulmua me armë zjarri, por i njëjti ka shpëtuar nga ky sulm.

Sigurimi i objektit ka kapur sulmuesin. Bëhet fjalë për 57 vjeçarin Lupço Stojhanovski, gjyshi i vogëlushes Tamara e cila kishte ndërruar jetë dy vjet më parë. Sulmuesi po mbahet në stacionin policor. Nëna e Tamarës së ndjerë ka pranuar se babai i saj ka kryer tentimin për vrasjen e ish-ministrit Todorov, por megjithatë ajo ka dënuar rastin.

Sulmin e ka dënuar edhe kryeministri i ri Zoran Zaev. Nga partia e tij dënojnë gjithashtu aktin duke kërkuar zgjidhje institucionale. Por partia e Nikolla Gruevskit vlerëson se sulmi ndaj Todorovit është nxitur nga LSDM-ja. VMRO DPMNE kanë reaguar përmes një komunikate me shkrim ku thuhet se tentimi për vrasjen e Todorovit është nxitur nga LSDM-ja.

Nga VMRO-ja thonë se përgjegjësi do kërkohet si nga autori i veprës, ashtu edhe nga nxitësit e saj. Vogëlushja Tamara nga Velesi ndërroi jetë duke pritur miratimin e Fondit për Sigurim Shëndetësor që t’i mundësonte shërim jashtë vendit. Ajo kishte deformime në kurriz ndërkaq miratimi për operim jashtë vendit erdhi një ditë pas vdekjes së saj. Një gjë e tillë nxiti protesta dhe reagime të shumta në opinion gjë që çoi në dorëheqjen e drejtuesve të Fondit.

Artikulli paraprakIGLI TARE, I PARI SHQIPTAR QË VLERËSOHET ME ÇMIMIN USSIROMA 2017
Artikulli tjetërTHAÇI: DEKLARATA E VUÇIÇIT ËSHTË VEÇ PËR KONSUM TË BRENDSHËM