Kryeministrja e Britanisë, Theresa May, tha se politikanë evropianë bëjnë “kërcënime” kundër Britanisë, në përpjekje për të ndikuar rezultatin e zgjedhjeve të përgjithshme.

May sulmoi “burokratët e Brukselit” pas takimit me Mbretëreshën. Ajo tha se disa në Bruksel duan që bisedimet për daljen e Britanisë nga Bashkimi Evropian të dështojnë. Lideri i Laburistëve në Britani, Jeremy Corbyn, tha se May “po luan lojëra partiake me Brexit-in” në përpjekje për të fituar zgjedhjet e përgjithshme. Ministrja e Parë e Skocisë, Nicola Sturgeon, tha se është “e papërgjegjshme” nga ana e saj “të helmojë” atmosferën me BE-në.

Zgjedhjet e përgjithshme në Britani do të zhvillohen më 8 qershor. “Pozicioni negociues i Britanisë në Evropë është keqpërdorur në shtypin kontinental. Politikanë dhe zyrtarë evropianë kanë kërcënuar Britaninë. Të gjitha këto veprime janë planifikuar qëllimisht për të ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve të përgjithshme”, tha May. Ajo po ashtu tha se do që të arrijë një marrëveshje për Brexit-in dhe për BE-në që të kenë sukses. Por, ngjarjet e ditëve të fundit, shtoi May, kanë treguar se “pavarësisht dëshirave”, janë disa në Bruksel “që nuk duan që këto bisedime të kenë sukses”.

Artikulli paraprakZAEV: TË DËNUARIT E RASTIT ”MONSTRA” MUND TË MOS JENË FAJTORËT E VËRTETË
Artikulli tjetërSTOJANOVIÇ SYNON T’I KTHEJË NË KOSOVË 19 MIJË SERBË NGA KRALEVA