Ende asnjë zgjidhje nuk është gjetur për moslejimin e hedhjes së mbeturinave tek varrezat e dëshmorëve.

Ai vend në periferi të qytetit të Shkodrës vijon që të mos ndryshojë aspak. Mbeturinat e po ashtu më shumë edhe inertet vazhdojnë që të hidhen aty duke e kthyer tashmë në një vendepozitim. Situata nga hedhja e mbetjeve tek varrezat e dëshmorëve çdo ditë e më shumë vjen duke u përkeqësuar. Grumbujt e mbeturinave gjenden kudo përreth varrezave duke u kthyer kështu në një problem serioz. Hedhja e mbetjeve bëhet në çdo orar të ditës ndonëse kryesisht orët e natës janë më të preferuarat për personat e përgjegjshëm. Dëmet që shkaktohen tek banorët aty përreth janë të konsiderueshme. Shpesh herë kanë bërë apel që të merren masa por reagimet e tyre asnjëherë nuk janë marrë parasysh. Përreth vendit ku depozitohen tonelatat e mbetjeve jetojnë një numër i konsiderueshëm familjesh të cilat çdo ditë përballen me këtë realitet të hidhur. Përveç dëmeve që shkaktohen tek banorët, po ashtu një dëm i madh është edhe për mjedisin në tërësi. Grumbujt e mbeturinave dhe djegia e tyre natyrisht që sjellin dëme të pallogaritshme për mjedisin duke qenë se fare pranë ndodhet edhe shtrati i lumit Kir dhe argjinatura mbrojtëse. Disa herë institucionet kanë ndërmarrë nisma të ndryshme për pastrimin dhe moslejimin e hedhjes së mbetjeve tek varrezat e dëshmorëve. Në vetëm pak kohë kjo nismë funksionoi ndërsa sërish situata është rikthyer ashtu si më përpara. Janë angazhuar më përpara prefekti i qarkut, policia dhe bashkia Shkodër por ende gjendja nuk ka ndryshuar. Institucionet nuk kanë arritur që të gjejnë një zgjidhje përfundimtare për të shmangur këtë katastrofë ekologjike që vjen nga depozitimi i mbeturinave.

Artikulli paraprakAKSIDENT NË MURIQAN, HUMB JETËN NJË PERSON E NJË FËMIJË NË GJËNDJE KRITIKE PËR JETËN
Artikulli tjetërGURI ZI, BASHKIA PASTRON PAS 25 VITESH KANALET VADITËSE