
Një mbrëmje e veçantë kushtuar turizmit dhe promovimit të Shkodrës u zhvillua në ambientet e Teatrit “Migjeni”, ku u organizua edicioni i radhës i “Shkodra Tourism Awards”. Ky event, i cili vlerëson kontributin e bizneseve dhe iniciativave që po forcojnë imazhin turistik të qytetit, ndau plot 30 çmime për inovacionin në turizëm.
Gjatë mbrëmjes u vlerësuan biznese dhe iniciativa që operojnë në fushat e turizmit, hotelerisë, kulinarisë, aventurës dhe inovacionit, hallka thelbësore të një qyteti që di të mirëpresë dhe të ofrojë cilësi për vizitorët. “Shkodra Tourism Awards” është një nismë e Gentian Ferhati, ekspert i marketingut, medias dhe zhvillimit të imazhit turistik, e organizuar me mbështetjen e Bashkisë Shkodër, duke vënë theksin te sipërmarrja, bashkëpunimi institucional dhe vizioni afatgjatë për zhvillimin e turizmit lokal.
Një nga çmimet më të spikatura të mbrëmjes ishte ai për Influencer of the Year, i cili iu dha Terenc Pepa, për punën dhe përkushtimin e tij shumëvjeçar në promovimin e Shkodrës dhe zonave veriore të Shqipërisë. Përmes fotografive, videove ajrore dhe përmbajtjeve digjitale, Pepa ka kontribuar ndjeshëm në rritjen e dukshmërisë së destinacioneve turistike, duke i prezantuar ato në mënyrë autentike dhe profesionale për publikun vendas dhe ndërkombëtar.
Ky vlerësim konfirmon rolin gjithnjë e më të rëndësishëm që ka promovimi digjital dhe influenca në zhvillimin e turizmit modern, duke e kthyer Shkodrën çdo ditë e më shumë në një destinacion të dëshiruar turistik.






