Mega-Procesi në Romë, mbi 250 vite burg strukturës korruptive

“Mafia kapitale nuk është organizim mafioz”. Ky është vendimi i marrë sot nga Gjykata e Romës ndaj megaprocesit hetimor të nisur më 2014 ku është përshirë një pjesë e rëndësishme e politikës romane. 46 personat e arrestuar janë zhveshur nga akuza e organizmit mafioz por u janë njohur akuzat për vepra të tjera penale si organizim kriminal, korrupsion, vjedhje, abuzim detyre, falsifikim, mashtrim fiskal, zhvatje etj, me një dënim kompleksiv prej mbi 250 vite burg. Janë dashur plot dy vjet punë e qindra seanca gjyqësore që Gjykata e Romës të jap sot vendimin përfundimtar ndaj një procesi i cili tronditi të gjithë jetën politike të kryeqytetit italian Romë. Kryetarja e trupit gjykues Rosanna Ianniello ka dënuar me 20 vite burg e më një gjobë prej 14 mijë euro, Massimo Carminatin, personazhin kyç në këtë proces, ish-anëtar i bandës së famshme “Magliana” e eksponent i së djathtës ekstreme neofashiste italiane NAR. Akuza ndaj tij është se kishte ngritur në këmbë një sistem korruptiv ku ishin përshirë elementë nga klasa politike, institucionale e sipërmarrëse të Romës me qëllim thithjen e fondeve dhe tenderave publike si dhe me interesa në administrimin e qendrave për strehimin e emigrantëve dhe në organizmin e eventeve politikë e fushatave elektorale. Me 19 vite burg është dënuar Salvatore Buzzi, bashkëpunëtor i Carminait, një kriminel i dënuar më parë nga drejtësia italiane që sipas akuzës me anë të kooperativës së tij “29 qershori”, e konsideruar një nga shoqëritë lider në sektorin e emigracionit, administrimin e pasurive publike, ambientit etj, kishte arritur të merrte fonde e tendera publike duke korruptuar eksponentë të rëndësishëm të politikës romane. Me 6 vjet burg është dënuar Mirko Coratti, ish kryetar i Këshillit Komuna të Romës e eksponent i Partisë Demokratike. Luca Gramazio, ish kryetar i grupit të forcës politike Popolo della Liberta është dënuar me 11 vite burg. Ish administrator i përgjithshëm i shoqërisë komunale për administrimin e mbetjeve AMA , Franco Panziromi është dnëuar me 10 vite burg. Ish përgjegjësi i zyrës së emigracionit në komunën e Romës, Luca Odervaine është dënuar me 6 vjet e 6 muaj brug. Krahu i djathtë i Salvatore Buzzi, Riccardo Brugia është dënuar me 11 vite burg etj. Prokuroria kishte kërkuar rreth 5 shekuj burg për 46 personat e përshirë në procesin “Mafia Kapitale”, por rënia e akuzës për organizim mafioz ka bërë që dënimet e të akuzuarve të përgjysmohen. Në sallën e gjyqit ishte e pranishme sot dhe Kryetarja e Bashkisë së Romë, Virginia Raggi e cila pas dhënies së vendimit ka deklaruar për mediat se “ky proces qe një plagë e thellë për Romën, e se organizimet politike kanë kondicionuar rëndë zgjedhjet politike dëmet e të ilave i jetojmë cdo ditë.”

Artikulli paraprakRADARI “HEQ” 19 PATENTA, NË 4 ORË 40 GJOBA
Artikulli tjetërGJYKATA I KTHEN PRONAT BIZNESMENIT, I ARRESTUAR DHE I DËNUAR PËR DISA AKUZA