Alen Melunoviç, është bashkuar me ekipin sërish në stërvitje, ditën e djeshme.

Ai ka bërë një paraqitje shumë të mirë në miqësoren e para tri ditëve, ku ishte edhe autor i dy golave për skuadrën shkodrane. Ndonëse Cungu po i vlerëson aftësitë e tij, sërish do edhe pak ditë për të vendosur për fatin e këtij futbollisti, nëse do të firmosë me Vllazninë, apo jo. Melunoviç do të qëndrojë në stërvitje deri të mërkurën e ardhshme, ditë kur kuqeblutë do të zhvillojnë një tjetër miqësore, këtë herë ndaj ekipit të Bjellopoljes, që merr pjesë në Superligën Malazeze dhe, nëse ai bind, atëherë do të firmosë me kuqeblutë. Stafi teknik e ka bërë të ditur prej kohësh se pret ende përforcime në sulm dhe Melunoviç mund të jetë njëri prej tyre. Pas tij mund të synohet edhe një lojtar tjetër, megjithatë për momentin e rëndësishme është të stabilizohet sulmi. Skuadra ditën e sotme ka vazhduar sërish procesin stërvitor të shoqëruar me dy seanca në ditë dhe këtë fundjavë nuk do të zhvillojë ndeshje miqësore. Ajo mbyll kësisoj javën e parë të përgatitjeve në tokën malazeze, aty ku do të qëndrojnë edhe dy javë të tjera për t’u përgatitur për nisjen e sezonit të ri futbollistik.

Artikulli paraprakSHKOLLAT, KUSHTET HIGJENO-SANITARE NË FOKUS TË BASHKISË
Artikulli tjetërZBULOHET AUTOMJETI I RRËZUAR NË BREG TË LIQENIT