Kreu i Shtetit, Ilir Meta vijon sulmet ndaj qeverisë duke hequr kostumin e presidentit dhe marrë rolin e drejtuesit të opozitës, gjë që e ka bërë shpesh në muajt e fundit.

Akuza që duhet t’i kishim dëgjuar të ngritura me forcë nga Lulzim Basha e LSI, në fakt po i artikulon me agresivitet dhe një gjuhë të ashpër kreu i shtetit. Duke postuar shifrat e aplikantëve për azil të shqiptarëve drejt vendeve të BE, Meta akuzon qeverinë për arrogancë dhe korrupsion duke thënë se janë pikërisht këto arsye pse njerëzit po largohen.

Kreu i shtetit thekson se sovrani duhet të marrë në duar fatin e tij me hapjen e listave 100 % në mënyrë që të mos ketë më largim masiv të shqiptarëve dhe kjo arrihet me respektimin e marrëveshjes së 5 qershorit dhe jo devijimi nga ajo, që sipas Metës po bëhet me ndryshimet Kushtetuese të njëanshme nga qeveria.

“Shqipëria nuk e meriton të renditet midis këtyre vendeve! Shqipëria meriton vetëm të ardhme europiane! Mjaft me Drejtimin e Gabuar të autoritarizmit, arrogancës, korrupsionit dhe marrëzisë, që po i varfëron dhe po i lodh kaq shumë shqiptarët, duke i detyruar të largohen nga vendi.

Hapi i parë për rikthimin në Drejtimin e Duhur është respektimi pikë për pikë i Marrëveshjes së 5 Qershorit dhe mos devijimi prej saj as një milimetër. Të rikthejmë shpresën duke rikthyer sovranitetin në duart e popullit, me hapjen e listave 100% dhe plotësimin e të gjitha kushteve të BE”, shkruan Meta.

Artikulli paraprakGRUDË E RE,BANORËT: TË RIPAROHET RRJETI ELEKTRIK
Artikulli tjetërSHKODER, ARRESTOHET NJE SHTETAS I SHPALLUR NE KERKIM