Në përfundim të dëshmisë para deputetëve të Komisionit Hetimor për anulimin e dekretit të 30 Qershorit, Presidenti Ilir Meta zhvilloi dje një takim të shkurtër edhe me kryetarin e Kuvendit Gramoz Ruçi në Kryesi.

Mëngjesin e sotëm, kreu i shtetit ka postuar një foto të vjetër me kryeministrin Rama dhe Gramoz Ruçin, të tre të qeshur, ndërsa ka zbuluar edhe bisedën e djeshme me kryetarin e Kuvendit. Meta shkruan se shkëmbeu me Ruçin mendime dhe kujtime, ndërsa ranë dakord se dy grupet parlamentare më cilësore opozitare kanë qenë ai i PD në ’91-’92 dhe ai i PS në ’92-’96.

“Ishte kënaqësi dje të rikthehesha në Kuvend. Po kështu të shkëmbeja disa mendime dhe kujtime me Kryetarin e Kuvendit z.Gramoz Ruçi. Së bashku ramë dakord se dy grupet parlamentare më cilësore opozitare kanë qenë ai i PD në ’91-’92 dhe ai i PS në ’92-’96.

Kjo më përforcon bindjen se në demokraci, cilësia është më e rëndësishme se sasia, për të udhëhequr ndryshimin e një shoqërie, edhe kur “sasia” duket fuqiplotë” shkruan Meta.

Presidenti Ilir Meta dje për rreth 2 orë e gjysmë ishte para deputetëve të mazhorancës dhe opozitës së re në komisionin parlamentar për dekretet e tij për zgjedhjet vendore.

Meta tha se 13 tetori mbetet ende në fuqi si dekret, ndërsa argumentoi se anulimi i 30 qershorit pati në themel interesin kombëtar bazuar në informacione sekrete se më 8 qershor opozita në protestën e saj do të digjte kuvendin.

Artikulli paraprakAKSIDENT NË AKSIN LEZHË-SHKODËR, PLAGOSEN TRE PERSONA
Artikulli tjetërNJIHUNI ME KAFENENË MË TË MADHE NË BOTË