Kreu i qeverisë Edi Rama pasditen e sotme është ndalur në Gramsh dhe ne Elbasan në kuadër të fushatës elektorale të 30 qershorit.

Rama komentoi edhe bojkotin e opozitës duke thënë se ishte zgjedhja e tyre për të qëndruar jashtë. Më pas Rama ka thënë se opozita i ka nxirë fytyrën Shqipërisë dhe kjo ka ardhur për të mos hapur negociatat me Bashkimin Europian.

“Kundërshtarët tanë duhet të na kishin dalë për ballë. Për tu ballafaquar me ne. Sepse pas këtyre katër viteve që mbyllëm për bashkitë, për ne flasin punët më shumë sesa fjalët. ata vendosën të ikin nga zgjedhjet sepse nuk fitojnë dot.

Por edhe sepse duan të marrin zgjedhjet peng, për të marrë peng Shqipërinë. Qëllimi i tyre është të pengojnë me çdo kusht Shqipërinë për të çelur negociatat. Kjo mund të duket si propagandë. Por në fakt po të shikoni të gjithë panoramën të shpalosur të aktivitetit politik të 6 muajve të fundit.

Nuk është e vështirë të kuptohet se qëllimi është ky. Shqipëria të bëhet një vend me reputacionin e rëndë me imazhin e nxirë, për të mos i lejuar miqtë tanë për negociatat dhe për të ushqyer ata që jo se janë armiqtë tanë por kanë ide për Europën dhe nuk duan të hapin negociata me askënd.

Ka patur momente të vështira, por jo të zbathej në parlament për të përdorur çizmet si armë dhe të fluturonin shishet e ujit si molotov që më pas erdhën shishe me benzin…” ka deklaruar Rama.

Ndërkohë pas takimit në Gramsh, ndalesa e Ramës është në Elbasan. Në këtë qytet militantët e PD-së dhe të LSI janë grumbulluar dhe me thirrjet ‘Rama ik’ kanë marshuar në rrugën e vetme që lidh Elbasanin me Gramshin ku do të tentojnë t’i bllokojnë hyrjen kreut të qeverisë.

Ndërkohë nga ana tjetër forcat e policisë janë në gatishmëri për të mobilizuar sulmet e mundshme nga militantët e opozitës. Gjithashtu për të siguruar rendin dhe sigurinë në gatishmëri në afërsi të vendit ku PS do të mbajë takimin elektoral janë vendosur edhe forcat RENEA.

Pas takimit elektoral të mbajtur në Gramsh, kryeministri Rama në kuadër të fushatës elektorale të 30 qershorit do të ndalet në qytetin e Elbasanit.

Ndërkohë ashtu siç prej kohësh opozita ka bërë thirrje për të penguar takimet elektorale të PS, militantët janë përgjigjur duke dalë në ‘pritë’ kryeministrit Rama.

Disa prej mbështetësve të PD-së e LSI me pankarta e thirrje ‘Rama Ik’ janë mbledhur së bashku për të tentuar bllokimin e rrugës së kryeministrit Rama. Ata kanë marshuar drejt rrugës që lidh Elbasanin me Gramshin dhe do tentojnë t’i bllokojnë rrugën kryeministrit Rama.

Ndërkohë për të ndaluar dhunën dhe përplasjet janë mobilizuar forcat e policisë dhe forcat RENEA.

Kujtojmë se edhe në qytete e tjera ku Rama ka zhvilluar fushatë, militantët e PD janë konfliktuar me policinë në tentativë për të mos lejuar PS të kryej takimet elektorale.

Artikulli paraprakNUK RESPEKTOI RREGULLAT NË PUNË E I SHPËRTHEU BOMBOLA TEKSA E MONTONTE, ARRESTOHET 63-VJEÇARI
Artikulli tjetërBASHKIA E SHKODRËS SËRISH LETËR KQZ-SË: NËSE CËNOHEN INSTITUCIONET VENDORE, SHKELËSIT DO KALLËZOHEN PENALISHT