Austria do të mbështesë Shqipërinë në zbatimin e reformës në Drejtësi dhe në luftën e saj kundër korrupsionit. Kjo është bërë e ditur gjatë një takimi zyrtar që ministri austriak i Drejtësisë, Josef Moser ka zhvilluar sot në Tiranë me ministren shqiptare të Drejtësisë Etilda Gjonaj.

Ministri Moser ka përgëzuar homologen e tij për Reformat e ndërmarra nga Qeveria Shqiptare, të cilat synojnë forcimin e shtetit ligjor, por në të njëjtën kohë janë një përpjekje serioze për të sjellë një frymë shumë pozitive në imazhin e Shqipërisë.

Nga ana e saj ministrja Gjonaj ka folur lidhur me rezultatet më të fundit të reformës në drejtësi dhe procesit të vetingut, problemet që janë ndeshur gjatë zbatimit të kësaj

reforme dhe përkrahjes që qytetarët shqiptarë i kanë dhënë asaj, me besimin se kjo reformë do të ndryshojë rrënjësisht sistemin e drejtësisë.

Ministri Austriak e ka konsideruar përvojën e Reformës në Dejtësi në Shqipëri si një model suksesi, i cili duhet të merret shembull edhe nga vende te tjera, të cilat kanë probleme në këtë fushë.

Sipas tij kjo është edhe një nga arsyet pse Ministeriali BE-Ballkani Perëndimor për çështjet e Drejtësisë dhe punëve të brendshme është vendosur të mbahet në Tiranë.

Gjonaj e siguroi Moser se procesi i reformës është i pakthyeshëm dhe se Qeveria Shqiptare është e vendosur për ta çuar deri në fund atë, për të siguruar një drejtësi të pastër, profesionale dhe larg ndikimeve politike.

Artikulli paraprakPUNËSIMI/ RAMA POSTON NJOFTIMIN E BB DHE SFIDON ‘HELMNXJERRËSIT’ : TË JETË JASHTË REALITETIT?
Artikulli tjetër“SHKOLLA E DREJTORËVE”, RAMA: KA TË PAAFTË, MARRIM ‘DIJEN’ E IZRAELIT