20% e refugjatëve në Francë janë shqiptarë. Kështu është shprehur ministri i Brendshëm francez Gerard Collomb, i cili zhvillon vizitë 2-ditore në Tiranë.

Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me Kryeministrin Edi Rama, ministri Collomb bëri me dije se me ministrin e Brendshëm Fatmir Xhafaj diskutoi pikërisht për fenomenin e largimit të shqiptarëve nga vendi. Sipas tij, azilkërkuesit në Francë janë kthyer në një problem.

“Sot paradite me ministrin e Brendshëm zhvilluam një takim shumë të gjatë lidhur me azilkërkuesit, sepse ne kemi një problem në vendet ku ne kemi për të pritur azilkërkuesit, 20% e zënë shqiptarët sepse kanë ardhur pa vizë”, u shpreh ministri i Brendshëm i Francës. Megjithatë, Collomb theksoi se ka një bashkëpunim nga autoritetet shqiptare për të frenuar azilkërkuesit e paligjshëm në Francë.

Ministri Collomb vlerësoi gjithashtu edhe punën e bërë mes dy vendeve për luftën kundër krimit të organizuar.

“Po ashtu në luftën kundër rrjeteve kriminale, bashkëpunimi midis vendeve është një bashkëpunim i domosdoshëm dhe në sajë të partneritetit që kemi me vende europiane duhet të jetë i tillë që të arrijmë rezultate. Kemi një përforcim të këtyre marrëdhënieve”, theksoi ministri i Brendshëm i Francës.

Duke vlerësuar pritjen që iu bë nga Kryeministri Edi Rama, Gerard Collomb premtoi se shumë shpejt do të vijë sërish në Tiranë për të qëndruar rreth 1 javë.

Artikulli paraprakRAMA: RRUGA E AZILKËRKIMIT, E PALIGJSHME DHE PA KRYE
Artikulli tjetërMETA THIRRJE POLITIKËS: HAPA SERIOZË PËR REFORMËN, LARG POLITIZIMIT TË SKAJSHËM