Nga 6 korsi që ka aktualisht pika e kalimit kufitar e Muriqanit pritet që të bëhet me 9 të tilla. Shqipëria dhe Mali i Zi janë bërë fituese e një projekti të programit IPA me vlerë 2 milion euro.

Dy qeveritë në një mbledhje të përbashkët që do të kenë së shpejti pritet që të nënshkruajnë marrëveshjen e përbashkët për ndërtimin e pikës së re të kalimit kufitar të Muriqanit.

Sipas burimeve menjëherë pas kësaj marrëveshjeje mes Shqipërisë dhe Malit të Zi do të nisë puna për zbatimin e këtij projekti të ri.

Muriqani është ndër pikat doganore më të rëndësishme për shkak të fluksit të turistëve të huaj por edhe shtetasve shqiptar, malazez dhe kosovar që kalojnë aty.

Radhët e gjata për shkak të kapaciteteve që mungojnë janë kthyer në një shqetësim për turistët të cilët janë detyruar gjatë fundjavave apo në festa të ndryshme që të presin deri më shumë se një orë.

Me ndërtimin e doganës së re dhe zgjerimin e saj me 3 korsi të reja duke e çuar në 9 nga 6 që janë aktualisht pritet që ky problem i radhëve kilometrike nganjëherë të marrë zgjidhje.

Po ashtu sipas burimeve përveç zgjerimit janë të parashikuara në projektin prej 2 mln euro të financuar nga BE pajisje kompjuterike dhe pajisje të tjera të logjistikës krejtësisht të reja dhe bashkohore.

Një tjetër pikë e rëndësishme është edhe forcimi i sigurisë në doganën e Muriqanit. Kjo pikë e kalimit kufitar është përdorur nga rrjeti i trafikantëve qoftë për transportimin e lëndëve narkotike por edhe trafikimin e qënieve njerëzore.

Pavarësisht se disa herë policia i ka goditur këto grupe sërish mbeten një shqetësim.

Projekti për ndërtimin e doganës së re nuk ka të parashikuar ndonjë gardh të mundshëm për ndalimin e depërtimit të trafikantëve të paligjshëm që vijnë nga vendet e treta duke kaluar përmes Muriqanit nga Shqipëria në Malin e Zi.

Është e pamundur momentalisht për të mbyllur apo bllokuar të gjitha shtigjet ku kalojnë emigrantët në mënyrë ilegale por nga ana tjetër rritja e parametrave të sigurisë dhe një vëmendje e shtuar edhe në kontrollet e përbashkëta mund të ndikojë për të ulur kalimin e paligjshëm të emigrantëve.

 

Artikulli paraprakFESTOHET DITA E LIQENIT TË SHKODRËS
Artikulli tjetërRIKTHEHEN INERTET TEK VARREZAT E DËSHMORËVE