Pasditën e së mërkurës, më 4 maj 2016, Myftinia Shkodër organizoi në xhaminë e “Dy Vajzave” një bashkëbisedim me temë: “Namazi në jetën e muslimanit”.

Në këtë aktivitet morën pjesë me ndërhyrjet e tyre: Imam Muhamed B. Sytari, Myfti i Zonës Shkodër, teologu Lavdrim Hamja, imam i xhamisë së “Dy Vajzave”, teologu Idmir Plaku, imam i xhamisë “Ebu Bekër”, teologu Naim Drijaj, imam i xhamisë Parrucë, si dhe teologu Arben Halluni, përgjegjës i arsimit në Myftininë e Shkodrës.Gjatë trajtesave të prezantuara para të pranishëmve, u hodh dritë mbi rëndësinë që ka kuptimi i shpirtit të namazit dhe distancimi nga fryma e debateve pa vlerë rreth datave dhe ditëve, që nuk bëjnë gjë tjetër vetëm se e largojnë vëmendjen e besimtarëve nga thelbi i ngjarjeve dhe ndodhive të ndryshme historike islame. U theksua se përkujtimi i datave dhe ngjarjeve të shënuara islame është traditë shumëshekullore, me qëllim që besimtarët të jenë përherë në kontakt me simbolikat e ngjarjeve dhe datave të shënuara dhe thelbin e tyre. U tërhoq vëmendja e të pranishëmve se falja e namazit nuk kushtëzohet me vendbanimin e qëndrueshëm, por mund të realizohet edhe në udhëtim, në gjendje shëndeti e sëmundjeje etj.

Artikulli paraprakDITA E LULEVE, NJË SËRË AKTIVITETESH ME 6-7 MAJ
Artikulli tjetërVLLAZNIA, CUNGU: BARAZIMI NË KUKËS NUK ISHTE I LEHTË