Shumë kujt mund t’i duket e çuditshme por ish-presidenti i Vllaznisë Roberto Nava nuk ka të ndalur në kërkesat e tij në gjyqin që ka nisur me bashkinë Shkodër për klubin kuqeblu.

Tashmë 300 mijë eurot dëmshpërblim nuk janë e vetmja kërkesë e Roberto Navas. Italiani që iku dhe erdhi brenda 4 muajve pa bërë asgjë në Shkodër bën të ditur se një tjetër kërkesë e tij është kthimi i Vllaznisë mbrapsht dhe ribërja e tij si president i kësaj skuadre. Në një komunkim me “Star Plus” Roberto Nava ka konfirmuar një gjë të tillë. Madje ish-presidenti më jetëshkurtër i Vllaznisë është shprehur se paratë mbeten një diskutim mes avokatëve dhe studiove ligjore që do të ndjekin çështjen ndërsa ai kërkon edhe një rikthim të klubit Vllaznia mbrapsht. Të gjithë këtë kërkesë aq sa të çuditeshme e të bujshme njëkohësisht nga ana e tij ende nuk e ka depozituar zyrtarisht në gjykatën e arbitrazhit në Tiranë. Kjo kërkesë e Roberto Nava sipas komunikimit nga vetë ai ka ardhur sepse italiani i “Gea Sport” kërkon që të rikthehet dinjiteti i tij mbrapsht dhe se për Vllazninë i rreh ende zemra. Mund të duket edhe qesharake kjo e fundit por këto janë deklarimet dhe pretendimet e Navas i cili do t’i hapë jo pak punë klubit Vllaznia dhe bashkisë Shkodër njëkohësisht. Bashkia nga ana e saj po përpiqet që ta shmang gjykatën e arbitrazhit dhe çështja të kalojë në gjykatat e tjera që janë në Tiranë ku edhe procesi mund të shqyrtohet më saktë në anën juridike ndryshe nga ajo e arbitrazhit. Do të jetë e vështirë për t’ia arritur sepse për anën civile kontrata mes bashkisë dhe “Gea Sport” përcakton pikërisht arbitrazhin për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve. Tashmë duhet pritur nëse Roberto Nava do ta bëjë realitet pretendimin e tij për t’i kthyer mbrapsht klubin Vllaznia dhe për ta bërë atë sërish president të këtij ekipi edhe pse kur e kishte mundësinë jo vetëm se nuk zbatoi kontratën e nënshkruar por la një gropë të madhe tek skuadra, pasojat e së cilës ende janë vuajtje sot për kuqeblutë.

Artikulli paraprakSKANDALI NË JETIMORE, PROKURORIA DYSHON PËR DJALIN E ISH DREJTORESHËS
Artikulli tjetër80% E FËMIJËVE NUK RAPORTOJNË DHUNËN NË FAMILJE