Ninullat ose këngët e djepit të popullit shqiptar, do jenë nga sot e tutje pjesë e arkivit të Muzeut të Londrës,

i cili pasqyron historinë dhe traditat kulturore të komuniteteve te ndryshme që banojnë prej shekujsh në metropolin britanik.

Ky muze në bashkëpunim me shoqatën shqiptare “Shpresa Programme”, organizuan projektin e dytë për arkivimin e vlerave, traditës dhe kulturës shqiptare në Muzeun e Londrës.

Pjesë e projektit janë këngët e djepit të kënduara dhe sjelle me mjeshtëri nga Profesoresha e Asociuuar nga Kosova dhe krijuesja e këtyre ninullave, Besa Berberi dhe grupet e fëmijëve të shoqatës shqiptare “Shpresa Programme”.

Në regjinë e korografit të njohur shqiptar me banim në Londër, Tomor Kokona dhe pjesëmarrjen e tre rapsodëve nga Shqipëria, Zef Doci, Sherif Dervishi dhe Mendi Buci, këto ninulla dhe muzika e çiftelisë dhe lahutës shqiptare ishin pjese e aktivitetit te zhvilluar ne Muzeun e Londrës, i cili përkoi edhe me 11 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.

Me herët, Muzeu i Londrës, në arkivin e vet ka edhe një botim të fëmijëve shqiptarë në Londër për të ardhmen e qytetit ku ata jetojnë, të titulluar “City Now, City Future”.

Sarita Mamseri, e Muzeut te Londrës, duke vlerësuar bashkëpunimin me organizatorët e performances, tha se “është privilegj që trashëgimia kulturore dhe kombëtare e një komuniteti të ri, si ai shqiptar në Britani, të bëhet pjesë e fondit dhe arkivave të trashëgimisë kulturore të komuniteteve të tjera që jetojnë dhe punojnë në kryeqytetin britanik”.

Artikulli paraprakKAPEN 1250 KG KANABIS MES AGRUMESH
Artikulli tjetërNJË SIPËRFAQE ME ULLINJ DHE SHKURRE PËRFSHIHET NGA FLAKËT