Liga e Kampioneve ka zhvilluar ndeshjet e para në fazën e grupeve. Që në nisje nuk kanë munguar rezultatet surprizë. Kryendeshja e mbrëmjes ishte ajo mes Borussia Dortmund dhe Barcelonës. Gjermanët tentuan me çdo mënyrë por nuk arrin të marrin një fitore ndërsa shpërdoruan shumë raste. Rejs në pjesën e dytë humbi një penallti për Dortmund ndërsa portieri i katalanasve, gjermani Ter Stegen ishte në një super formë.

Aktivizimi i Messit në pjesën e dytë për Barcelonën nuk shtoi rrezikun ndërsa kjo ndeshje u mbyll në barazim pa gola 0-0 ndryshe nga sa pritej. Spanjollët e Valencia kanë surprizuar Çelsin. Brenda fushës anglezët humbën 0-1 teksa Valencias i mjaftoi një goditje dënimi që Rodrigo të dërgojë në rrjetë topin e harkuar dhe të marrë një fitore. Edhe Çelsi humbi një penallti duke mos arritur që të marrë të paktën barazimin.

Një paraqitje dinjitoze ka bërë Napoli. Italianët brenda fushës thyen anglezët e Liverpul duke i mundur bindshëm 2-0 me një penallti që kthehet në gol nga Mertens dhe golin e dytë në fund të lojës nga Lorente. Zhgënjyes është treguar Interi. Italianët nuk shkuan më shumë se një barazim 1-1 me Slavia e Pragës.

Janë çekët që shënojnë të parët me ish-futbollistin e Bylisit dhe Skenderbeut, Olayinka ndërsa Inter barazon vetëm në kohë shtesë me Barella duke shmangur një humbje të turpshme. Në grupin F Barcelona, Dortmundi, Interi dhe Slavia e Pragës janë të gjithë me nga një pikë. Holandezët e Ajaks nuk e kanë diskutuar fitoren përballë Lillës duke i shënuar 3 gola ndërsa kryesojnë grupin H bashkë me Valencian me nga 3 pikë.

Një dështim kanë bërë edhe francezët e Lion duke barazuar brenda fushës me rusët e Zenitit në 1-1. Një super paraqitje ka bërë Salzburgu teksa ka shënuar plot 6 gola përballë Genkut që iu përgjigj me vetëm dy gola ndërsa ndeshja përfundoi 6-2. Në këtë grup Salzburgu dhe Napoli kryesojnë me nga 3 pikë.

E paparashikueshme ishte edhe humbja e Benfikës brenda fushës me Leipzig në shifrat 1-2. Në grupin G Leipzigu ka 3 pikë dhe Lioni me Zenit me nga një pikë. Mbrëmjet në vijim parashikojnë të tjera sfida spektakolare në Ligën e Kampioneve.

Artikulli paraprakBASHA: ME NJË TRYEZË NUK ZGJIDHET KRIZA
Artikulli tjetërSHKODËR, I VENDOSET ZJARRI MBETJEVE TEK KOSHAT