Qindra qytetarë, mbështetës të opozitës, demokratë janë nisur nga rrethet për të marrë pjesë në protestën e thirrur sot nga Fronti Opozitar për shpëtimin e Shqipërisë.

Me mesazhet kyçe ‘Shqipëria në rrezik’ dhe ‘mos thuaj: ç’më duhet mua?’’, spoti i PD rithekson motivet e protestës dhe kërkon daljen nga apatia shoqërore.

Protesta e Frontit të Shpëtimit Kombëtar do të zhvillohet sot para Kryeministrisë duke rikthyer përballjen politike në vend.

Kryetari i PD, Sali Berisha, në një tur intensiv takimesh me aktorë shoqërorë ka kërkuar bashkimin rreth kauzave kombëtare si shpopullimi, çmimet e larta, ekonomia në rënie dhe shkombëtarizimi nëpërmjet Ballkanit të Hapur.

Berisha lë selinë dhe i drejtohet kryeministrisë, pritet t’u bashkohet protestuesve të grumbulluar.

Ora 19:22– Kreu i PD, Sali Berisha ka dalë nga selia blu dhe është nisur drejt sheshit para kryeministrisë për t’iu bashkuar protestuesve.

Qytetarët hyjnë brenda selisë së PD, me flamuj e brohoritje: Edi Rama ka mbaruar!

Ora 19:20– Mbështetës të shumë të Partisë Demokratike kanë hyrë brenda selisë blu. Me thirrjet “Edi Rama ka mbaru, ka mbaru”, “E duam Shqipërinë si e gjithë Europa”, qytetarët po presin daljen e kreut të PD, Sali Berisha, të dalë nga zyra dhe t’i bashkohen së bashku protestës para Kryeministrisë.

Siç shihet, qytetarët mbajnë në duar flamujt me shqiponjën dykrenare.

Nis protesta e thirrur nga opozita, qytetarët mblidhen në Bulevard, të tjerë marshojnë nga selia e PD

Ora 19:05– Nis protesta e thirrur nga opozita. Qytetarët janë mbledhur para Kryeministrisë. Ndërkohë një turmë tjetër ndodhet te Selia e PD, ku pas daljes së kreut të PD-së Sali Berisha do të marshojnë drejt Kryeministrisë

Nis grumbullimi i qytetarëve para kryeministrisë, çfarë po ndodh vetëm pak minuta para nisjes së protestës së thirrur prej opozitës

18:55- Ka mbërritur në selinë e PD kreu demokrat, Sali Berisha, ndërsa pritet të niset drejt sheshit pra kryeministrisë.
Mësohet se janë afro 1200 forca të policisë në gatishmëri për të garantuar rendin e kësaj proteste të thirrur nga opozita. Dyert e kryeministrisë janë zëvendësuar me dyer të blinduara, si e vetmja mënyrë mund të ndalohet ndonjë tentativë e protestuesve për të hyrë në ambientet e brendshme. Ndërkohë ka nisur dhe grumbullimi i protestuesve, ndërsa Forcat Speciale dhe forca të policisë vëzhgojnë situatën.
Protesta pritet të zgjasë rreth dy orë. Konstatohet që pas kryeministrisë, tek godina e Parlamentit dhe institucioneve me rëndësi të lartë, janë të pozicionuar forcat speciale, makina ujëhedhëse, ndërsa efektivët e policisë janë të pajisur edhe me maska kundra gaz.
Referuar planit të masave të marra nga Policia, makina ujëhedhëse dhe forcat e specializuara për hedhje gazi, janë të pozicionuara pas godinës së kryeministrisë. Sipas planit të policisë, nëse do të ketë revoltë në mesin e protestuesve, fillimisht do të bëhet thirrje për ruajtje qetësie, e më pas do të përdoren makina ujëhedhëse.

Berisha mbërrin në PD, rrethohet nga mbështetësit

Ora 18:45– Kreu i PD Sali Berisha mbërrin në selinë e PD. Ai pritet nga qindra mbështetës.

Aktualisht në seli ndodhen edhe pjesa më e madhe e deputetëve, ndërsa ata që po merren me organizimet e fundit janë deputeti Belind Këlliçi, sekretari i përgjithshëm i PD, Flamur Noka dhe nënkryetari Luçiano Boçi.

Ndërkohë në selinë e PD kanë nisur të grumbullohen edhe simpatizantët e opozitës, që po presin të dalin në shesh së bashku me kryetarin e PD, Sali Berisha për t’iu drejtuar godinës së Kryeministrisë.

Artikulli paraprakKUVENDI MIRATON REZOLUTËN QË DËNON GJENOCIDIN SERB NË SREBRENICË! RRËZOHEN AMENDAMENTET E BERISHËS
Artikulli tjetërFOTO/ KRYETARJA E LSI MONIKA KRYEMADHI NË KRAH TË LIRI BERISHËS NË PROTESTË, JA NGA KUSH SHOQËROHET