Operacioni policor i koduar “VOL-VO 4”, për goditjen e 4 grupeve kriminale, çoi në pranga 27 persona, mes tyre dhe 3 punonjës policie.

Për laboratorin e heroinës në Has, përveç 5 të arrestuarve që dyshohet se ishin punonjës, në kërkim janë shpallur edhe 2 shtetas turq, 1 kosovar dhe 1 shqiptar.

Në ambientet e përshtatura për përpunimin e drogës, policia tha se u gjetën 182 kg morfinë dhe 22 litra lëndë e lëngshme dhe pajisje të tjera që përdoreshin për prodhimin e heroinës.

Ndërkohë, pasditen e së dielës në Shijak, por edhe 12 qytete të tjera të vendit, u arrestun 19 persona si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal në fushën e trafikimit të narkotikëve.

Anëtarë të familjes Avdyli, me influencë në këtë zonë, përfunduan në pranga, ndërsa Sarandë u arrestua edhe Petro Kuçi, i njohur dhe me emrin Abedin, i cili mësohet se është i afërm i Klement Balilit, i cili vijon arratinë prej me shumë se 2 vitesh.

Sipas burimeve, pasditen e së dielës është kontrolluar me vendim gjykate dhe banesa e Lulzim Berishës në Durrës, por nuk është gjetur asnjë send i paligjshëm. Ky i fundit mësohet se nuk është shpallur në kërkim, ndryshe nga çfarë u aludua fillimisht në media.

Për shpërdorim detyre dhe ndihmë për kalimin e paligjshëm të kufijve, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal u arrestuan dhe 3 punonjës policie, mes tyre një shef turni në Doganën e Morinës.

Në operacion morën pjesë 1500 forca policie.

Ardi Veliu, drejtor i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, tha: “Janë me mijëra orë përgjime, filmime, përgjime ambientale, vëzhgime me dron, mijëra faqe me shkresa dhe këmbim informacioni e korrespodencë me agjenci ligjzbatuese brenda e jashtë vendit”.

Duke renditur edhe arrestimet për tjetërsimin e tokave në Lezhë, drejtuesja e Prokurorisë për Krime të Rënda tha se këto grupe po hetohen edhe për ndikimin dhe lidhjet në institucione shtetëore.

Artikulli paraprakIU ARRESTUA VËLLAI PËR TRAFIK KOKAINE DHE ARMËMBAJTJE PA LEJE, JEP DORËHEQJEN DREJTORI I PATENTAVE
Artikulli tjetërE DINIM PËR BIMË MEDICINALE’ TË ARRESTUARIT PËR LABORATORIN E HASIT PARA GJYKATËS