A keni menduar ndonjëherë se mund të futeni në stadium pa biletë, në një ndeshje me rëndësi si finalja e Champions League e disa ditëve më parë?

Quhet Gaspare Galasso personi që pasi ka arritur të futet “pa leje në gjysmën e stadiumeve italiane, bëri të njëjtën gjë edhe në “San Siro” mbrëmjen e së shtunës, duke përdorur vetëm një mbajtëse “badge”-i të blerë në internet dhe shumë kurajë, derisa arriti të depërtonte në tribunën VIP. Madje nuk u ndal me kaq; u fut në fushë për të festuar me futbollistët e Real Madridit fitoren e kupës së 11-të të kompeticionit europian. Thuajse gjatë gjithë aventurës së tij e futi mbajtësen e “badge”-it brenda xhaketës në mënyrë që askush të mos e shihte atë që përmbante e në mënyrë të çuditshme ia doli të pozicionohej në një vend që supozohet të jetë i paarritshëm. Në një intervistë të pak muajve më parë, Galasso ishte shprehur se dëshironte ta mbyllte sezonin futbollistik me një “bombë” e mesa duket ia arriti më së miri qëllimit, duke shfrytëzuar paaftësinë e trupave të sigurisë. Kjo ngre pikëpyetje shumë të mëdha rreth sigurisë në prag të Kampionatit Europian në Francë, të përfolur shpesh kohët e fundit si shënjestër e sulmeve terroriste.

Artikulli paraprakDY OFERTA PËR KONCESIONIN E RRUGËS SË KOMBIT
Artikulli tjetërORGANIZOHET “A-FEST FILM 2016” PËR TË 7-IN VIT ME RADHË