Kosova ka në plan të padisë Serbisë për gjenocid, nismë që njohësit e çështjeve juridike thonë se do të jetë sfiduese për shkak të pozitave të shtetit në arenën ndërkombëtare. Qeveria parashikon ta dorëzojë padinë në Hagë në fundin e vitit të ardhshëm.

Ka gjetur mbështetje ideja e kryeministrit, Albin Kurti, për ta mbajtur Serbinë ndërkombëtarisht përgjegjëse për krimet e saj në Kosovë, por ka dyshime për suksesin e kësaj nisme.

Zëdhënësja e qeverisë kosovare, Rozafa Kelmendi, thotë se plani është që padia të ngrihet pasi të jetë krijuar fillimisht Instituti për Krimet e Luftës i konceptuar vite më parë.

Kelmendi: Ky është një proces i gjatë, i komplikuar dhe që do marrë kohë dhe mendojmë që është herët të flasim për fazat e ardhshme të këtij procesi, meqenëse edhe faza përgatitore do të merr kohë të mjaftueshme.

Aktualisht jemi duke i shqyrtuar analizat e kryera nga grupet punuese të mëhershme, grupi punues i themeluar gjatë mandatit të kaluar është shuar me vendim të ministrit Selimi, dhe më pastaj është formuar një grup punues i ri, i cili ka qenë i mandatuar për të bërë analizat për mundësitë e themelimit të Institutit të Krimeve të Luftës që si fazë e këtij procesi, ne jemi duke analizuar analizën e grupit paraprak dhe analizën e filluar në qeverinë Kurti 1,

dhe pas kësaj do kalojmë në një fazë të re që është diskutimi dhe miratimi i ligjit për themelimin e Institutit për Krime të Luftës…Fillimisht jemi duke u bazuar në punën e këtyre grupeve punuese të së shkuarës për të parë rezultatin e analizave të tyre dhe për të parë të kuptuar se cilët do jenë hapat konkret për fazat e ardhme të këtij

procesi…Synojmë që padinë ta paraqesim para fundit të vitit të ardhshëm, meqenëse siç e thash procesi i tillë i ndërlikuar do të marrë më shumë kohë dhe duhet pasur parasysh ndjeshmërinë që përfshinë ky proces.

Njohësit e çështjeve juridike thonë se Kosovës i duhet të paktën 1 vit punë me mbledhjen e provave për të argumentuar gjenocidin serb.

Në aspektin juridik, profesori i të Drejtës Penale Ndërkombëtare, Ismet Salihu, mendon se duhet ndryshuar adresë për paraqitjen e padisë.

Salihu: Mirë është që në mënyrë ofensive dhe të drejtë të ceken krimet e luftës, posaçërisht krimi dhe gjenocidi që është kryer në Kosovë ndaj luftës së fundit. Për të paraqitur një padi, akuzë kundër Serbisë për krimet e gjenocidit, duhet në Kosovë të krijohet një grup i ekspertëve të cilët duhet të punojnë së paku afër 1 vit për të përgatitur

këtë aktakuzë, këtë posaçërisht po e theksoj për shkak se për akuzën për gjenocidin që kanë kryer forcat serbe duhet të mblidhen të dhënat, provat, faktet. Ato të sistemohen dhe të argumentohen dhe pastaj të përpilohet akuza për gjenocidin që kanë kryer forcat

serbe….Kjo e vështirëson punën për këtë jemi fajtor ne mendoj, posaçërisht në atë grup personash, ato qeveri të deritanishme që nuk kanë krijuar mundësi minimale për mbledhjen, sistemin, argumentimin provimin e krimeve që janë kryer.

Mosqenia e Kosovës pjesë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara e bën skeptik Ehat Miftarajn, drejtorin e Institutit të Kosovës për Drejtësi.

Sipas tij, dorëzimi i padisë kundër Serbisë nuk do të plotësonte as aspektin formal.

Miftaraj: Derisa ne nuk jemi pjesë e Kombeve të Bashkuara, derisa Kosova nuk e fiton subjektivitetin ndërkombëtar në bazë të asaj që e përcakton karta e OKB për të pasur të drejtën që ta ratifikoj statutin e GJND, në këtë fazë thjesht mund të bisedojmë por nuk

është se mund të ndërmarrësh një hap formal për të paditur Serbinë….Nëse këto dy elemente primare si Kosovës nuk i plotëson mundësia në aspektin formal për të bërë një padi të tillë, nuk është që shihet në një të ardhme të afërt.

Miftaraj kritikon udhëheqjen politike për mangësitë me dokumentimin e krimeve të luftës.

Miftaraj: Në Kosovë fatkeqësisht në 20 vitet e fundit nuk është që kemi punuar apo kemi arritur që ta dokumentojmë në mënyrë sistematike atë që ka ndodhur në luftën e fundit nëse marrim për bazë një parim të mirëqenë në të drejtën ndërkombëtare publike se bashkësia ndërkombëtare, shtetet demokratike në njëfarë mënyre më shumë e kanë si qëllim që të vije deri tek pajtimi i popujve sesa të lënë një njollë që mund të keqpërdoret apo keqkuptohet.

Në këtë drejtim, unë them se para marrjes së çfarëdo vendimi Republika e Kosovës për padinë për gjenocid, në radhë të parë duhet të shohim nëse Kosova i plotëson kushtet formale për ta bërë këtë gjë që në këtë fazë ku jemi, nuk i plotëson e në anën tjetër duhet të bëhet një strategji, një koordinim bashkëpunim, këshilla nga ekspert të fushës jo vetëm në Kosovë por edhe ndërkombëtar, të cilët mund ta japim një analizë se cilat janë gjasat që Kosova ta fitoj një padi të tillë.

Padia për gjenocidin serb është përmendur më parë nga ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Presidenti serb, Vuçiç, e quan kërcënim paralajmërimin e qeverisë kosovare, dhe thotë se padinë mund ta ngrenë vetëm shtete të tjera, si Shqipëria, që janë anëtare të OKB-së.

Artikulli paraprakPËRDORIMI I KUFJEVE PO RREZIKON DËGJIMIN, KËSHILLA SI T’I SHPËTOJMË FËMIJËT
Artikulli tjetërZVICRA, E GATSHME PËR TË VAKSINUAR FËMIJËT DHE ADOLESHENTËT, POROSIT 7 MILIONË DOZA NGA MODERNA