Trajneri i Kombëtares Shqiptare, Christian Panucci, ka bërë sot publike listën me futbollistët e grumbulluar për dy ndeshjet e ardhshme të kuqezinjve, kundër Skocisë në Ligën e Kombeve dhe Kundër Uellsit në miqësore.

Bie në sy afrimi për herë të parë në kombëtare i ish-kapitenit të Kosovës te përfaqësuesja U-21, Ardian Ismajli, i cili ka zgjedhur përfundimisht të përfaqësojë Shqipërinë pasi nuk gjeti hapësira te ekipi i parë i Kosovës.

Jo më pak përshtypje ka bërë edhe grumbullimi i Loret Sadikut, mesfushorit 27-vjeçar që aktivizohet te Kasimpasha i cili më parë ka qenë i ftuar nga De Biazi. Sadiku fillimisht në karrierën e tij ka përfaqësuar Suedinë, të cilën më pas e la për t’iu bashkuar Shqipërisë.

Gjithsesi kjo nuk do të ishte përfaqësuesja e fundit që zgjodhi Sadiku, pasi më herët ai ka qenë pjesë edhe e Kosovës.

Një vend në kombëtare Panucci i ka rezervuar edhe Ivan Balliut, mbrojtësit që luan në Francë me Metzin. Balliu u ftua për të përfaqësuar Shqipërinë edhe në ndeshjen me Izrealin, por nuk arriti t’i bashkohet ekipit për shkak të angazhimeve me klubin e tij.

Pavarësisht ftesës, mesfushori Ylber Ramadani që aktivizohet në Danimarkë, me shumë mundësi nuk do të jetë i gatshëm për këto dy sfida. Ish-futbollisti i Partizanit ka pësuar frakturë në krahë dhe do ta ketë të pamundur për t’u rikuperuar në kohë.

Ndeshjen e parë Shqipëria e luan me Skocinë në “Loro Boriçi” me datë 17 nëntor, ndërsa miqësorja me Uellsin do të luhet në “Elbasan Arena” më 20 nëntor. Sa i takon shanseve të Kombëtares për tu kualifikuar në Europian nëpërmjet Ligës së Kombeve duhet theksuar se janë shumë të pakta. Në fakt duhet një kombinim i frikshëm i rezultateve.

Shqipëria fillimisht duhet të mposhtë më shifrat 3-0 Skocinë për të zeruar golavarazhin, ndërsa më pas duhet të shpresojë te një fitore minimale 1-0 e Skocisë kundër Izraelit.

Artikulli paraprakVRASJA E DEVI KASMIT, EKZEKUTORI GREK NUK PARAQITET NË GJYKATË: MË KANË KËRCËNUAR PËR JETËN
Artikulli tjetërOPERACIONI: 22 TË ARRESTUAR NË ITALI, NË PRANGA DHE KATER SHQIPTARE