Papa Françesku paralajmëroi të dielën se bota përballet me përpjekjeje të reja ideologjike për të mbjellë frikë dhe ndasi në shoqëri.

Ai tha se lëvizjet e reja ateiste kanë për objektiv të rinjtë dhe synojnë të çrrënjosin traditat kulturore dhe fetare të shoqërisë.

Komentet e Papa Françeskut u bënë përpara mijëra të pranishmëve në vazhdën e vizitës apostolike në Rumani, ku ai lumturoi 7 ipeshkvij greko-katolikë të rënë si martirë gjatë periudhës së komunizmit rumun.

Papa: Ata i pranuan kushtet barbare të burgut dhe çdo lloj keqtrajtimi duke mos e mohuar besnikërinë e tyre për Kishën. Klerikët u syrgjynosën dhe dhanë jetën për të kundërshtuar një sistem ideologjik që shtypte të drejtat themelore të njeriut.

Historianët tregojnë se rreth gjysmë milion rumunë, mes tyre politikanë, klerikë, doktorë, pronarë tokash apo tregtarë u burgosën ose u persekutuan në kampe internimi në vitet 50-60.

Pas Luftës së Dytë Botërore, autoritetet komuniste të Rumanisë konfiskuan pronat e Kishës Katolike dhe urdhëruan anëtarët e saj t’u bashkohen Kishës Ortodokse, e cila kontrollohej më lehtë nga partia komuniste e Nikola Çausheskut.

Kreu i Vatikanit e cilësoi komunizmin rumun dhe nismat e përngjashme si forma të kolonizimit ideologjik që kanë për qëllim zhvlerësimin e personit, jetës, martesës dhe familjes.

Popullsia rumune identifikohet në shumicën e saj e besimit ortodoks, ndërsa katolikët përbëjnë më pak se 5 për qind.

Vizita e Papës vjen 20 vite pas asaj të Papa Gjon Palit të Dytë, që u vlerësua për rolin e tij në rënien e komunizmit.

Artikulli paraprakGRABITI MBI 8 MIJË € DHE MILIONA LEKË NË NJË BANESË NË PEQIN, KAMERAT IDENTIFIKOJNE TË RIUN
Artikulli tjetërMETA PRET SHEFIN E NATO-S, JENS STOLTENBERG