Zëvendës Ndihmës Sekretari në Byronë e Çështjeve Evropiane dhe Euroaziatike të SHBA-së Matthew Palmer do të vijë në Tiranë më 9 Prill. Burime konfirmuan vizitën e Palmer, i cili do të zhvillojë një tur në të gjithë rajonin e Ballkanit.

Gjatë vizitës së tij në kryeqytetin shqiptar, Palmer pritet të takohet me zyrtarët më të lartë në vendin tonë, mes të cilëve me Kryeministrin Edi Rama, Presidentin Ilir Meta dhe kreun e PD Lulzim Basha.

Pjesë e diskutimeve pritet të jetë kriza politike e cila prej 2 muajsh ka mbërthyer aktualitetin politik në Shqipëri. Zv/Ndihmës Sekretari i Shtetit për Evropën Matthew Palmer në datë 20 shkurt zhvilloi dy biseda të

veçanta telefonike me kryetarin e Partisë Demokratike Lulzim Basha dhe me kryetaren e Lëvizjes Socialiste për Integrim Monika Kryemadhi në lidhje me krizën politike. Por situata nuk ndryshoi. Opozita pasi dogji mandatet, vijon me protestat, disa prej të cilave kanë degjeneruar në dhunë.

Kujtojmë që dy vite më parë, situata ishte thuajse e njëjtë, ishte zyrtari i lartë i DASH, Hoyt Brian Yee i cili mbërriti në Tiranë në kuadër të gjetjes së një zgjidhje për ngërçin politik.

Yee shprehej se bojkoti nuk është taktikë e mirë dhe se zgjedhjet duhet të zhvilloheshin edhe pa opozitën nëse nuk do të pranonte, por në fund PD-ja, pavarësisht deklaratave u fut në zgjedhje pas marrëveshjes së 17 majit.

Edhe tani opozita ka dhënë shenja se mund të bojkotojë zgjedhjet lokale, edhe pse ende nuk ka një qëndrim zyrtar. Tashmë mbetet për t’u parë nëse Matthew Palmer do të ketë suksesin e Hoyt Brian Yee të njohur edhe si “Buldozeri”.

Artikulli paraprakFRANKO ISHTE IDHULLI I BREZIT TONË DHE NË FATIN DHE DRAMËN E TIJ
Artikulli tjetër‘O SALI O HERO GJITHË SHQIPËRIA TY TË DO! KTHEHU LEGJENDË!’ QYTETARËT KËRKOJNË BERISHËN