Me rastin e Pashkëve, të gjithë turistët dhe jo vetëm kanë patur mundësi që këtë të diel të vizitojnë Kalanë e Rozafës, pa paguar biletën prej 200 lekësh të reja.

Nën atmosferën festive, edhe këtë ditë një numër i madh vizitorësh vërshuan për të vizituar vlerat historike dhe arkitektonike të objektit më të vizituar në Shkodër.

Turistë nga Gjermania, Franca, Shtetet e Bashkuara e deri tek Australia e largët. Për mikrofonin e Star Plus, njëri prej tyre u shpreh i mrekulluar për të gjitha vlerat historike të Shkodrës dhe Kalasë së Rozafës dhe mbi të gjitha një vizitë falas në këtë ditë feste.

Në Kalanë e Rozafës, përgjatë këtij viti, në të gjitha festat fetare, vizitorët do të kenë mundësinë të sodisin bukurinë dhe historinë e saj falas, pa paguar biletë. Kalaja e Rozafës është padyshim një ndër objeketet me interesin më të lartë turistik në të gjithë Qarkun e Shkodrës.

“Vijmë për herë të parë në qytetin e Shkodrës dhe në Shqipëri. U mrekulluam me vlerat që transmeton qyteti juaj, mbrëmë ishim aty dhe mbi të gjitha edhe vetë Kalaja e Rozafës.

Akoma nuk kemi hyrë brenda por duket se kemi të bëjmë me një vlerë kaq të madhe historike dhe arkitektonike. Është interesante që këtë ditë feste të Pashkëve vizita është falas. Kam ardhur me dy miq të tjera dhe jam i sigurtë që do të rikthehem sërish në Shqipëri.

Kam lexuar për historinë e Kalasë së Rozafës dhe është realisht impresionuese. Gjithashtu, përmes jush gjej rastin të uroj të gjithë besimtarët katolikë për festën e Pashkëve. Gëzuar të gjithëve.”

 

Artikulli paraprakVLLAZNIA, NJË FITORE JETIKE NDAJ SKËNDERBEUT
Artikulli tjetërPASHKËT, NË VATIKAN PAGËZOHET NJË SHQIPTAR