PD: Haki Çako e Ardian Veliu nuk e ndihmuan gjyqtaren

Sot ka dalë para trupi gjykues vrasësi i gjyqtares Fildes Hafizi, për të cilin është marrë masa arrest me burg. Mbi Fadil Kasemin, ish-bashkëshortin e gjyqtares rëndojnë tre akuza dhe mund të dënohet me burgim të përjetshëm. Pas daljes së të tij para trupit gjykues ka reaguar Partia Demokratike e cila akuzon Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Haki Çako dhe Drejtorin e Krimeve në Policinë e Shtetit Ardian Veliun, të cilët u takuan personalisht nga gjyqtarja ku ajo kërkoi ndihmën e tyre dhe ata nuk e ndihmuan. Gjithashtu PD në njoftimin për shtyp lajmëron se në fillim të legjislaturës së re do të propozojë një ligj i cili ndalon në çdo rrethanë uljen e dënimeve për vrasje dhe amnistimin e tyre. Ne do të propozojmë edhe ashpërsimin e dënimit për ata që ushtrojnë dhunë në familje, si dhe rritjen e mbrojtjes për viktimat e kësaj dhune. Njoftimi për shtyp i Partisë Demokratike Partia Demokratike Vrasja e gjyqtares Fildes Hafizi nuk do të kishte ndodhur nëse krimineli nuk do të favorizohej nga veprimet e papërgjegjshme të shtetit. Nëse krimineli nuk do të ishte liruar nga një aministi skandaloze apo nëse policia do t’i kishte dhënë gjyqtares mbrojtjen që i njeh ligji çdo qytetari, ajo sot do të jetonte. Ne nuk mund ta lëmë të kalojë në heshtje këtë krim, vetëm për të pritur krimin e rradhës. Qeveria duhet të japë llogari: Pse Edi Rama ka ofruar çdo vit amnisti masive, gjë që nuk ka ndodhur asnjëherë më parë? Pse amnistitë e tij kanë përfshirë ulje dënimi dhe lirim të kriminelëve që kanë kryer vrasje apo tentuar të kryejnë vrasje? Pse policia nuk i afroi mbrojtje gjyqtares Hafizi kur ajo e kërkoi më shumë se një herë? Pse nuk vepruan për parandalimin e tragjedisë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit dhe Drejtori i Krimeve në Policinë e Shtetit, të cilët u takuan personalisht nga gjyqtarja ku ajo kërkoi ndihmën e tyre? Partia Demokratike do të propozojë në fillim të legjislaturës së re një ligj i cili ndalon në çdo rrethanë uljen e dënimeve për vrasje dhe amnistimin e tyre. Ne do të propozojmë edhe ashpërsimin e dënimit për ata që ushtrojnë dhunë në familje, si dhe rritjen e mbrojtjes për viktimat e kësaj dhune. Ndërkohë, Partia Demokratike i kërkon qeverisë të rishikojë me urgjencë procesin e ofrimit të mbrojtjes nga shteti, për të shmangur mundësinë e injorimit të qytetarëve që u kërcënohet realisht jeta.

Artikulli paraprakMOTI I KEQ, DËMTIME TË RRJETIT ELEKTRIK NË BERAT, GJIROKASTËR DHE SHKODER
Artikulli tjetërEMIGRANTI KOSOVAR USHQIM FALAS TË PREKURVE NGA URAGANI