Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka dorëzuar në Prokurorinë e Posaçme Antikorrupsion (SPAK) kallëzimin penal për koncesionin e check up-it. Duke e konsideruar atë si një nga vendimet më korruptive të qeverisë Rama, Partia Demokratike ka kallëzuar në SPAK ish-ministrin e Shëndetësisë Ilir Beqaj,

ministren aktuale të Shëndetësisë Ogerta Manstirliu, Altin Fanin, Vilma Nushin, sipas selisë blu, aksionere e kompanisë përfituese të check up-it, Rudina Degjonin dhe Astrit Becin. PD-ja ka ngritur 7 akuzave kundër tyre, nga korrupsioni aktiv dhe pasiv, shpërdorimi i detyrës deri tek përfitimi i paligjshëm.

Në kallëzimin e depozituar në SPAK, PD-ja thekson se ka paraqitur me prova dhe fakte shkeljen e ligjit, në dy faza, në procedurën e dhënies në koncesion dhe përzgjedhjes së fituesit, si dhe në periudhën e zbatimit të kontratës.

Në kallëzim, sipas selisë blu evidentohet se ministria e Shëndetësisë ka shkelur procedurat ligjore për shpalljen e fituesit dhe lidhjen e kontratës, si dhe ka shpallur fitues ofertuesin me çmimin më të lartë, duke sjellë dëm të lartë financiar për Buxhetin e Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm Shëndetësor.“Sipas provave të administruara rezulton se Ministria e Shëndetësisë, ka pasur ngut të pashpjegueshëm për të përfunduar, në mënyrën e parapërcaktuar, këtë procedurë koncesionare.

Ajo ka prezumuar mungesën e ankimit nga operatorët e tjerë, fakt ky që provon se e gjithë procedura koncesionare ka qenë fiktive dhe fituesi ishte paracaktuar” – thuhet në kallëzimin e firmosur nga Sekretari i Përgjithshëm i PD Gazment Bardhi.

Në kallëzimin e dorëzuar prej Partisë Demokratike akuzohet gjithashtu se funksionarët publikë nuk kanë ushtruar kontrolle apo kanë lejuar vazhdimin e shkeljeve të kontratës, duke i sjellë një dëm të jashtëzakonshëm qytetarëve shqiptarë dhe financave të shtetit.

“Kjo nuk kryhet vetëm si pasojë e paaftësisë, por ka në bazë një interes financiar dhe ekonomik, që i detyron të mos kryejnë detyrën funskionale dhe duke lejuar shkeljet e jashtëzakonshme të kontratës”-thuhet në kallëzimin e Partisë Demokratike.

Sipas PD-së, të gjitha shkeljet e kryera kanë sjellë dëm ekonomik për Buxhetin e Shtetit, dhe se është provuar shkelje e barazisë në tëndera, si dhe cenimi i interesit publik, duke pasur parasysh cilësinë e shërbimit dhe marrëdhënien financiare ndërmjet fituesit dhe Fondit të Sigurimeve Shëndetësore. Koncesioni është firmosur në mandatin e parë të qeverisë Rama dhe është nga më të sulmuarit nga opozita.

Artikulli paraprakNDIHMAT 1.15 MILIARDË € PËR RINDËRTIMIN/ KOMISIONERI I BE-SË PËR ZGJERIMIN: KORRUPSIONI NUK DO TOLEROHET, DO JEMI ATY!
Artikulli tjetërMETA I KËRKON BASHËS TË INFORMOJË KRYEMADHIN PËR GRUSHTIN E SHTETIT: DO E SHPARTALLOJ ME PËRGJIGJEN SHEMBULLORE QË MERITON