PD i ka dërguar Prokurorisë të dhënat konkrete që ajo publikoi një ditë më parë për dënimin e Valdrin Pjetrit për trafik droge në Itali.

PD shprehet se kur ndodhemi 13 ditë pas kërkesës së bërë verifikimin e Pjetrit sipas ligjit të dekriminalizimit, nga Prokuroria nuk ka asnjë reagim institucional të shpejtë.

Në një letër dërguar Prokrurorisë, sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi shkruan: “Për fat të keq, ky reagim nuk ka ardhur ende, duke zhbërë qëllimin primar që ka ligji i dekriminalizimit”.

“Sipas këtyre të dhënave rezulton se Valdrin Pjetri është i dënuar nga Gjykata e Firences, me vendimin e formës së prerë të datës 12 Qershor 2003, me 18 muaj burg dhe 1000 Euro gjobë, për veprën penale “shpërndarje, prodhim dhe trafikim i lëndëve narkotike dhe lëndëve të tjera të paligjshme psikotrope”, të kryer në bashkëpunim”- shkruan Bardhi.

Në letrën e Sekretarit të Përgjithshëm të PD, Gazment Bardhi thuhet se: “Për shkak të vonesës gati dyjavore të prokurorisë, PD i kërkon organit të akuzës që ta informojë atë dhe opinionin publik mbi procedurat e verifikimit që ka nisur dhe rezultatet e deritanishme të këtij verifikimi. “Çdo vonesë e pajustifikuar për rezultatin e këtij verifikimi është rreshtim në anën e krimit të organizuar dhe promovimit të tij në funksione të larta publike.”

Ndërkohë sot Sektori i dekriminalizimit në Prokurorinë e Përgjithshme do të kërkojë gjurmët e gishtave të Valdrin Pjetrit.

Ne pritje të përgjigjes së letërporosisë së dërguar Interpolit dhe Europolit, ballafaqimi i shenjave të gishtave është mënyra më e shpejtë për të zbardhur të vërtetën e të shkuarës së Valdrin Pjetrit në Itali.

 

Artikulli paraprakKOSTANDIN XHUVANI KËRKESË DREJTORISË SË BURGJEVE: MË JEPNI LEJE QË TË SHKOJ NË VARRIMIN E BABAIT
Artikulli tjetër“DRAFTI PËR SHPIFJEN”, GAZETARËT DHE OSBE KUNDËR KTHIMIT TË AMA-S NË GJYKATË