Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi deklaroi sot se Forcat e Armatosura janë të hapura për talente e reja në fushën e kibernetikës. Peleshi solli përmes rrjeteve sociale, rastin e toger Rudens Kagjinit, i cili pas përfundimit të studimeve në Britaninë e Madhe, i është bashkuar Forcave të Armatosura duke punuar si inxhinier në fushën e mbrojtjes kibernetike.

“Toger Rudens Kagjini ka nderuar kombin kudo ku ka studiuar, ndërkohë që tani i shërben atdheut në një nga fushat më delikate të kohëve të fundit. Forcat e Armatosura janë struktura pararojë në mbrojtjen kibernetike të vendit dhe janë të hapura për çdo të ri të talentuar për t’u bërë pjesë e Njësisë Ushtarake të Mbrojtjes Kibernetike”,- shkruan Peleshi.

Toger Rudens Kagjini tregon se prej 5 viteve është pjesë e Forcave të Armatosura.

“Aktualisht punoi si inxhinier i sigurisë kibernetike në Forcat e Armatosura. Kam kryer studimet në Kolegjin Mbretëror të Forcave Ajrore në Mbretërinë e Bashkuar, aty ku jam diplomuar si studenti më i mirë ndërkombëtar. Gjithashtu, kam përfunduar me rezultate të shkëlqyera kursin e ndërlidhjes në SHBA”, shprehet ai.

“Detyra ime funksionale është monitorimi i vazhdueshëm dhe mbrojtja e sistemeve të informacionit. Puna ime dhe e kolegëve të mi besoj se duhet vlerësuar sepse siguria e informacionit na prek të gjithëve dhe siguria kibernetike është një temë mjaft aktuale në ditët e sotme”, tha Kagjini.

Artikulli paraprakURA NJË KALIMSHE E MESIT PROBLEM PËR AUTOMJETET
Artikulli tjetërMARRËVESHJA KOSOVË-SERBI, META: E ARDHMJA E RAJONIT S’ËSHTË TE “BALLKANI I HAPUR”, POR TE …