Rritja graduale e moshës dhe vjetërisë në punë ndikojnë drejtpërdrejt në masën e pensionit të pleqërisë, duke qenë se janë dy prej përbërësve të formulës për përllogaritjen e tij.

Gjatë vitit 2017, gratë do të dalin në pension në moshën 60 vjeçe e 6 muaj, ndryshe nga viti i kaluar që dilnin 60 vjeçe e 4 muaj. Por, jo vetëm mosha, grave u shtohen edhe vitet e nevojshme të punës për të përfituar pension të plotë me 4 muaj. Burrat dhe gratë, këtë vit duhet të kenë 36 vite e 2 muaj punë për të përfituar pension të plotë. Sipas formulës së re, pensioni përbëhet nga një shumë bazë, që është e barabartë me pensionin social që është 6.860 lekë shumëzim vitet e sigurimit që ka çdo person, pjesëtim vitet e vjetërsisë në punë. Në këtë pjesë të formulës kemi ndikimin në uljen e masës së pensionit, duke qenë se pjesëtimi do të bëhet me një numër më të madh. Për shembull, nëse kemi një person me 40 vite punë, për të përllogaritur pensionin bazë duhet të bëjmë këtë veprim: 6.860 x 40 / 36 e 2 muaj = 7.580 lekë. Ndërkohë që përgjatë vitit 2016, baza e pensionit me këto të dhëna do të ishte 7.665 lekë, pra rreth 85 lekë më e lartë. Ndërkaq, pensioni përbehet edhe nga një shtesë që është 1% shumëzim vitet e sigurimit shumëzim pagën mesatare. Paga mesatare përllogaritet në bazë të pagave bruto të deklaruara ndër vite, të cilat indeksohen me koeficientët përkatës, për t’i aktualizuar me tregun, shkruan “Gazeta Shqiptare”. Kjo bëhet duke i mbledhur pagat e deklaruara bruto (pas indeksimit) për çdo muaj dhe duke i pjesëtuar me numrin e muajve, për të cilën janë derdhur këto paga. Pasi të kemi nxjerrë dhe vlerën e pagës mesatare, atëherë do të mund të përllogarisim dhe shtesën.

Artikulli paraprak13 VITE NGA TRAGJEDIA , SHOQATA “9 JANARI” BËN THIRRJE PËR DREJTËSI
Artikulli tjetërZJARRI NË PERASH , POLICIA JEP DETAJE