Vetëm 8 ditë përpara se të nisë kampionati kombëtar i futbollit në radhët e Vllaznisë situata nuk është aspak e qetë. Një përplasje e fortë mes mbrojtësit kuqeblu Esin Hakaj dhe trajnerit Migen Memelli ka turbulluar ujërat në ekipin shkodran. Në fakt kjo përplasje mes tyre ka nisur që para ndeshjeve të Europës si dhe ditët e fundit ka ardhur duke u shtuar deri në një përplasje verbale mes tyre. Gjithçka nisi me një seancë stërvitore para takimeve të Konferencë League kur trajneri Memelli i kërkoi Hakaj që në ndeshjet e kontrollit në stërvitje të kalojë nga formacioni i parë në të dytin, gjë e cila nuk është pritur aspak mirë nga mbrojtësi. Po ashtu Hakaj nuk u ndje aspak mirë edhe në ndeshjen e parë ndaj Linfield kur u zëvendësua nga Spahia, gjë e cila krijoi pakënaqësi për të. Nuk mjaftoi me kaq. Pas ndeshjeve të Europës, thuhet se Hakaj pësoi një dëmtim dhe vetëm 4 ditë që është rikthyer në seancat stërvitore duke munguar për një kohë të konsiderueshme. Në ndeshjet miqësore duke filluar që nga përballja me Laçin shiritin e kapitenit që deri në atë moment e mbante Hakaj, trajneri Memelli në mungesë të mbrojtësit për shkak të dëmtimit ia kaloi sulmuesit Bekim Balaj. Balaj vijon që të jetë kapiten në të gjitha ndeshjet miqësore, gjë e cila e ka irrituar Hakajn. Ky i fundit ka debatuar me tone të ashpra ditët e fundit me trajnerin Memelli duke mos qenë aspak dakord me këtë nënvlerësim siç e ka cilësuar vetë futbollisti të teknikun kuqeblu ndaj tij. Në këtë mënyrë Hakaj dhe Memelli kanë debatuar me njëri-tjetrin duke mos gjetur një gjuhë të përbashkët. Edhe pas ndeshjes miqësore të fundit me Dinamon ky debat ka vijuar për shkak të pakënaqësive që ka Hakaj. Drejtuesit e Vllaznisë të ndodhur në vështirësi në këtë situatë janë munduar që të flasin me të dy palët për të gjetur një zgjidhje dhe për të qetësuar situatën aq më tepër që ndodhemi përpara nisjes së kampionatit të ri. Drejtuesit bashkë me Memellin dhe vetë mbrojtësin Hakaj kanë zhvilluar një takim ndërsa është e paqartë nëse kanë gjetur paqe mes tyre. E gjithë kjo histori që ka nisur që para Europës dhe vijon deri më tani nuk ndikon aspak mirë në radhët e Vllaznisë në nisje të sezonit të ri. Lidhur me këtë debat por edhe për situata të tjera tek kuqeblu situata do të jetë më e qartë në ndeshjen e parë që Vllaznia do të zhvillojë ndaj Kukësin pas 8 ditësh.

Artikulli paraprakKONCERT I “RROK ACADEMY” NË FIRZAMONIKË
Artikulli tjetërVLLAZNIA U-21 FITON NDAJ BESËLIDHJES