Persona të pa identifikuar kanë djegur gjatë natës së shkuar flamurin e Shqipërisë dhe të Kosovës në kryeqytetin malazez, Podgoricë.

Televizioni shtetëror “RTCG”, shkruan se rasti është regjistruar pranë ndërtesës së “Capital Plaza” atje ku ndodhen edhe zyrat e ambasadës së Kosovës. Për ngjarjen, ka reaguar edhe ministria e Jashtme e Malit të Zi, duke shprehur keqardhjen për incidentin. “Ministria e Jashtme shpreh keqardhjen dhe dënon fuqimisht aktin e vandalizmit dhe djegies së flamurit të Shqipërisë dhe Kosovës para ndërtesave të ambasadave”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Jashtme malazeze. Kjo ministri thekson se është në komunikim të vazhdueshëm me ambasadat. “Autoritetet kompetente duhet të marrin të gjitha veprimet e nevojshme për sqarimin e rastit dhe identifikimin e autorëve”, thuhet më tej. Ministrja e Jashtme e Malit të Zi thekson se është e bindur që raste të tilla të izoluara nuk mund të ndikojnë në marrëdhëniet e mira dhe miqësore midis vendeve. Ndërkohë, Aleanca Qytetare (GA) u bëri thirrje autoriteteve për të kryer një hetim të menjëhershëm, dhe të ndjekë penalisht autorët e krimit. Kjo Aleancë thotë se qëndrimet e qeverisë malazeze bëhen shkak për incidente të tilla, për shkak edhe të mos respektimit të plotë të pakicave etnike atje.

Artikulli paraprakSEZONI TURISTIK, HOTI: NDOTJA MJEDISORE ALARMANTE
Artikulli tjetërNIKA: DO TË RIKONSTRUKTOHEN ZYRAT E POSTËS, RRITJE E PERFORMANCËS