Policia e Tiranës i ka refuzuar lejen për të protestuar nesër përpara Kryeministrisë Partisë Demokratike.

Sipas burimeve nga selia blu, leja është refuzuar me të njëjtat argumente si për protestën e 16 shkurtit.

Selia blu për protestën e së shtunës, ashtu si në kërkesën për protestën e 16 shkurtit, drejtuar policisë kërkonte që leja për tubim që nis në orën 11:00 të jetë pa një afat të përcaktuar se kur do të mbarojë.

Por, kërkesa është kthyer me argumentin që të specifikohet orari se kur do të mbyllet tubimi para selisë së qeverisë, ndërsa lë afat orën 24:00 të së shtunës.

Ndërkohë që një tjetër problem në kërkesën për leje të dorëzuar nga PD-ja janë edhe koordinatat. PD kërkoi leje për protestën në katër rrugët që rrethojnë Kryeministrinë, bulevardin “Dëshmorët e Kombit” tek sheshi para Kryeministrisë, lulishtja tek Piramida dhe te rruga “Ismail Qemali” në krah të Kryeministrisë.

Por, sipas selisë blu, policia e Tiranës ka refuzuar lejen në koordinatat e kërkuara nga PD-ja me argumentin se hapësira tek “Lulishtja tek Piramida’ dhe te rruga “Ismail Qemali” do të jetë territor ku do të dislokohen shërbimet e policisë dhe të Gradës së Republikës.

Megjithatë opozita e bashkuar nesër në orën 11:00 do të zhvillojë protestën përpara selisë së qeverisë. Pavarësisht se i refuzoi lejen, edhe policia është përgatitur për tubimin nesër.

24 orë para protestës policia e Tiranës ka finalizuar planin e masave të sigurisë ku nga bllokimi i disa rrugëve dhe angazhimi i 1600 efektivëve do të zbatohen prej të premtes në mbrëmje

Artikulli paraprakPËRFUNDON NUMËRIMI PËR BORDIN E UNIVERSITETIT TË SHKODRËS
Artikulli tjetërZBARDHEN TRE AKUZAT MBI UKRAINASIN, QË DYSHOHET VRASËS ME PAGESË