Këshilli i bashkisë Shkodër miratoi statutin për ndërmarrjen e ujësjellës qytet mes debateve por është prefektura e qarkut ajo e cila e ka kthyer mbrapsht këtë vendim.

Pas shqyrtimit në afatin kohor të 10 ditëve që nga miratimi në sallën e këshillit bashkiak, prefekti Paulin Radovani nuk ka pranuar që ta firmosë. Ndryshe nga sa bëri me buxhetin e bashkisë që e firmosi pa frikë dhe me bindje, këtë radhë për statutin e ujësjellësit prefekti nuk ka bërë të njëjtën gjë. Burime pranë prefekturës së qarkut Shkodër bëjnë me dije se arsyeja e mosfirmosjes të statutit të ndërmarrjes së ujësjellësit lidhet me statutin tip. Në vendimin e këshillit bashkiak është përcaktuar që asambleja të përfaqësohet jo vetëm nga kryetarja e bashkisë Voltana Ademi por edhe nga vetë këshilli bashkaik që janë anëtarët e të të gjitha forcave politike. Në arsyetimin e saj prefektura i ka bërë me dije bashkisë se ky vendim nuk është në përputhje me statutin tip të ardhur nga qeveria. Sipas prefektit Radovani bëhet e ditur se statuti tip i qeverisë për ndërmarrjet e ujësjellësit thotë se në asamble duhet të jetë vetëm kryetarja e bashkisë dhe jo edhe këshilli i bashkisë siç është marrë vendimi duke dyshuar edhe për ndarje e përfitime politike. Anëtarët e miratuan statutin e ndërmarrjes së ujësjellësit në bazë të vendimit të këshillit të ministrave të 27 janarit 2016 “për riorganizimin e operatorëve që ofrojnë shërbimin e furnizimit me ujë të pijshëm, grumbullimin, largimin dhe trajtimin e ujrave të ndotura. Sipas arsyetimit të prefekturës neni 30 i kësaj VKM-je citon: se përsa nuk është parashikuar në statut, rregullimi i modaliteteve që lidhen me funksionin e shoqërisë të bëhet sipas dispozitave të ligjit të 2008-ës për “Shoqëritë tregtare” dhe jo e kundërta siç ka ndodhur. Tashmë statuti i ujësjellësit do të duhet të miratohet edhe njëherë në këshillin bashkiak duke qenë se prefekti Radovani nuk e firmosi.

Artikulli paraprakMOTI I PAQËNDRUESHËM, DËME TË SHUMTA NË BUJQËSI
Artikulli tjetërPUNËSIMI NË MALËSINË E MADHE, NIS FAZA E DYTË E REGJISTRIMIT