Shoqëria Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar e njohur si GIZ dhuroi një sërë pajisjesh për t’i ardhur në ndihmë stafit të emergjencave civile në Shkodër, kjo në kuadër të projektit për menaxhimin e përmbytjeve në ballkanin perëndimor, i cili financohet nga Ministria Federale Gjermane për Zhvillim Ekonomik.

Në një takim të mbajtur në Shkodër me përfaqësues të Ambasadës Gjermane, pushtetit lokal dhe qendror në vend, prefekti i qarkut Paulin Radovani u shpreh i pakënaqur për situatën në të cilën punojnë zjarrfikësit. Ai kërkoi më tepër investime, teksa foli i shqetësuar për mungesën e një studimi të përgjithshëm kombëtar për situatat emergjente.

Drejtori i përgjithshëm i Emergjencave Civile të Shqipërisë Shemsi Prençi tha se Shkodra është ndër të paktat bashki që ka bashkëpunuar për menaxhimin e situatave. Nga ana tjetër, Prençi kundërshtoi prefektin Radovani, duke thënë se për Shkodrën ka patur investime.

Drejtorsha e bashkëpunimit dhe zhvillimit Ekonomik pranë ambsadës Gjermane tha se është i domosdoshëm bashkëpunimi ndërmjet pushtetit qëndror dhe atij lokal. Gjatë diskutimeve me praninë e disa zjarrfikësve të Shkodrës, kryebashkikja Voltana Ademi tha se mbetet sfidë e bashkisë krijimi i grupeve vullnetare për raste emergjencash. Edhe pas përfundimit të takimit, debate të shumta pati ndërmjet drejtorit të emergjencave civile dhe prefektit Paulin Radovani. Ky i fundit ripërsëriti nevojën për mbështetje financiare stafin e Emergjencave Civile.

Artikulli paraprakARRESTOHET 44-VJEÇARI, TENTOI TË DJEGË ME BENZINË NJË PERSON
Artikulli tjetërRAMA: BËRA GJITHSA MUNDA POR JO GJITHSA DOJA. PD VENDOSI TË VRASË VETEN