Pas retorikës dhe gjuhës së ashpër të Presidentit turk Recep Erdogan me Brukselin, Bashkimi Europian është duke u përgatitur për anulimin e marrëveshjes së refugjatëve me Turqinë.

Sipas revistës gjermane “Der Spiegel”, Frontex do të shtojë numrin e punonjësve të saj në Greqi. Referuar të dhënave të revistës, do të shtohen 60 punonjës të Frontex që do të monitorojnë kufirin mes Greqisë, Maqedonisë dhe Shqipërisë. Ky plan pritet të vihet në zbatim në muajin janar dhe shkurt të vitit 2017. Pjesa më e madhe e punonjësve do të jenë të përqendruar në kufirin greko-maqedonas, aty ku ndodhet edhe fluksi më i lartë i refugjatëve. “Spiegel” raporton se përparësi do t’i jepet edhe kufirit greko-shqiptar, ku do të ketë mision të zgjeruar të agjencisë evropiane Frontex. Disa muaj më parë, BE dhe Turqia arritën një marrëveshje për refugjatët që vijnë nga Lindja e Mesme. Sipas marrëveshjes, Turqia merr ndihma financiare nga Brukseli për të strehuar refugjatët dhe për të reduktuar fluksin e tyre drejt vendeve të Evropës. Në këmbim, BE do të heqë vizat duke u mundësuar lëvizjen e lirë shtetasve turq. Por, arrestimet në masë të urdhëruara nga Erdogan pas grushtit të shtetit në Turqi dhe mundësia e rikthimit të dënimit me vdekje në këtë shtet, ka bërë që Bashkimi Europian të kundërshtojë ashpër këto politika të Presidentit turk, duke bllokuar deri tani heqjen e vizave. Erdogan ka bërë presion që të zbatohet marrëveshja e arritur, gjë që duket e vështirë. Në këto kushte, Brukseli ka marrë në konsideratë mundësinë e prishjes së marrëveshjes me qeverinë turke, çka do të thotë se në një situatë të tillë Turqia pritet të hapë kufijtë dhe shtetet e evropës të përballen me një tjetër valë masive të refugjatëve.

Artikulli paraprakNIS PUNIMET KËSHILLI I MINISTRAVE TË JASHTËM TË BE-së PËR ÇELJEN E NEGOCIATAVE
Artikulli tjetërKRYEMINISTRI RAMA ËSHTË I PAKËNAQUR ME REFORMAT