Prokuroria për Krime të Rënda ka vendosur të apelojë vendimin që Gjykata për Krime të Rënda dha mbrëmë për ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri, ku i rrëzoi të gjitha akuzat e organit të akuzës.

Prokuroria kërkoi javën e shkuar dënimin prej 12 vitesh burgim (që zbriste në 8 për shkak të gjykimit të shkurtuar), duke e akuzuar ish ministrin për tre vepra të rënda: “Trafikimi i narkotikëve”, në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, “ Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal.

Edhe mbrëmë, ish-ministri i Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri, paralajmëroi se do ta apelojë vendimin e Gjykatës, dhe tha se kjo është vetëm maja e betejës.

Gjykata shpalli të pafajshëm Saimir Tahirin për akuzat e prokurorisë për trafik droge dhe grup të strukturuar kriminal, duke e shpallur fajtor vetëm për një akuzë të re të ngritur prej saj, për shpërdorim detyre. Kështu, Tahiri u dënua për këtë vepër me 5 vite burg, por që me gjykim të shkurtuar arrin në 3.4 vite burgim.

Edhe këtë dënim Gjykata e konvertoi në shërbim prove 3 vite me kusht për të mos kryer vepër tjetër penale brenda kësaj periudhe. Sipas vendimit, Tahiri për 3 vite nuk duhet të kryejë funksione publike. Me këtë vendim, ish-ministri i Brendshëm nuk kryen asnjë ditë burg.

Kundër vendimit të Gjykatës lejohet ankim në Gjykatën e Apelit për Krime të Rënda, Tiranë, brenda 15 ditëve nga e nesërmja e shpalljes.

Artikulli paraprakDEPUTETJA E PS-SË: TAHIRIT I PËRFUNDOI KARRIERA POLITIKE, ME DËNIMIN E KAP DEKRIMINALIZIMI
Artikulli tjetërYLLIN BOLSHEVIK NË FLAMURIN SHQIPTAR, AVOKATI PADIT BASHKINË, PREFEKTURËN E KËSHILLIN BASHKIAK TË BERATIT