Partia Demokratike ka mobilizuar këtë të enjte militantët e saj për t’iu bashkangjitur kauzës së studentëve dhe për të protestuar përpara Kuvendit, aty ku opozita pritet të rikthehet pas pesë muajsh për të thyer bojkotin disa mujor e për të shpëtuar mandatet.

Sipas njoftimeve të kësaj force politike nga Fieri, Shkodra, Dibra, Vlora, Selenica e Himara, sot janë nisur në drejtim të Tiranës disa autobusë dhe automjete private.

Opozita e nisi bojkotin që në datën 23 korrik të këtij viti. E ndërsa një pjesë e deputetëve e shpëtuan mandatin në seancën e kaluar (lexo këtu), pjesa tjetër e grupit të PD dhe LSI-së afatin e fundit e kishte në 23 janar të vitit tjetër, pasi në të kundërt do të humbnin mandatet.

Në seancën plenare të ditës së sotme, shumica pritet që të rrëzojë për buxhetin 2019 që riktheu presidenti Ilir Meta. Deputetët e Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim pritet të jenë edhe ditën e nesërme ,

ku deputetët do të mblidhen për draftin e PD-së për vettingun në politikë, të cilin e rrëzoi Komisioni.

Protesta e studentëve për plotësimin e tetë pikave vijon tashmë prej më shumë se dy javësh. Shumica e tyre vijon të refuzojë dialogun me kryeministrin Edi Rama, ndonëse ky i fundit publikoi dje “Paktin për Universitetin”,

si demonstruese të planit konkret të qeverisë për të plotësuar pikat e kërkuara nga studentët.

E megjithatë, ka edhe nga ata studentë që pas publikimit të “Paktit për Universitetin” kanë deklaruar se protestës së tyre do t’i japin fund ditën e nesërme (21 dhjetor) për t’u rikthyer në muajin janar.

Sipas njoftimit të Partisë Demokratike, sot janë nisur nga Shkodra rreth 1000 persona. Këta të fundit priten të drejtohen përpara Kuvendit, aty ku mendohet se do të protestojnë për të 17-tën ditë edhe studentët.

Konkretisht, janë nisur 5 autobusë dhe disa furgone dhe makina private. Kryetari i Partisë Demokratike në Shkodër, Xhevdet Amuli është shprehur se forca e tij politike është pranë studentëve dhe kundër qeverisë.

“Ka shumë arsye për të cilat ne protestojmë sot, si largimi i rinisë dhe taksat e larta në shumë familje me varfëri ekstreme. Kjo protestë është e domosdoshme për përmbysjen e regjimit të Edi Ramës”.

Artikulli paraprakDËBIMI I AMBASADORIT TË IRANIT, DONALD TRUMP LETËR RAMËS: PËRGËZOJMË SHQIPËRINË
Artikulli tjetërSOT KUVEND, OPOZITA RIKTHEHET DHE SHPËTON MANDATET, DEBAT PËR DEKRETIN E METËS PËR BUXHETIN