Policia Rrugore e Lezhës, në vijim të punës dhe në zbatim të planit të masave për rritjen e parametrave të sigurisë, këshillimin e drejtuesve të mjeteve për respektimin e rregullave të qarkullimit rrugor, si dhe për kapjen e ndalimin e shtetasve në kërkim dhe atyre që qarkullojnë me armë zjarri, ka ushtruar kontrolle në rrugë të ndryshme në të gjithë Qarkun Lezhë.

Si rezultat i këtyre kontrolleve të shtuara, në Laç, punonjësit e Policisë Rrugore kanë ndaluar një mjet tip “Renault”, pasi drejtuesi qarkullonte në mjet pa rrip sigurimi. Shoferi nuk i është bindur urdhrit të punonjësit të Policisë, kur iu kërkua të paraqesë dokumentacionin, duke tentuar të largohet me mjet, por Policia ka mundur ta neutralizojë.

I riu qarkullonte me armë zjarri pa leje dhe kundërshtoi punonjësit e Policisë duke tentuar të largohej, por arrestohet në flagrancë nga shërbimet e Policisë Rrugore.

Gjatë kontrollit fizik dhe kontrollit në mjet iu gjet në çantën e krahut, një armë zjarri e llojit pistoletë, të cilën e mbante pa leje. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua arma e zjarrit pistoletë dhe një krehër me 5 fishekë. Në vijim të veprimeve, Seksioni për Parandalimin dhe Hetimin e Krimit në Komisariatin e Kurbinit arrestoi shtetasin D. P., 19 vjeç, banues në Laç.

Me ndryshimet e fundit në Kodin Penal, mbajtja e armëve në automjete apo në mjedise publike, pa lejen e organeve kompetente shtetërore, dënohet me burgim nga 5 deri në 7 vjet.

Nga data 1 deri në 8 janar 2020 janë sekuestruar, falë kontrolleve nga Policia e Shtetit, 1 pistoletë, 2 kallashnikovë, 2 armë gjahu, 3 pushkë, 1 silenciator dhe 2 armë të ftohta (thika).

Artikulli paraprakVRASJA E ALTIN BALLIUT,GJYKATA I KTHEN PËR HERË TË DYTË DOSJEN PROKURORISË
Artikulli tjetërLIDERI I IRANIT FLET PËR SHQIPËRINË: NJË VEND SHUMË I VOGËL E I MBRAPSHT, PO KOMPLOTON ME SHBA