Ditën e sotme, qeveria e Shqipërisë miratoi dy vendime që lidhen me mbarëvajtjen dhe transparencën e zgjedhjeve lokale të datës 30 qershor.

Me një VKM të posaçme, nga dita e sotme pezullohen të gjithë procedurat e prokurimit nga njësitë e qeverisjes vendore dhe autoritetet kontraktore në varësi të tyre.

Një vendim i tillë merret për të eliminuar çdo mundësi apo alibi të keqpërdorimit të pushtetit në muajt e fundit të detyrës për kryebashkiakët në ikje. Pezullimi do të mbetet në fuqi deri në momentin e dorëzimit të detyrës tek kryebashkiakët e rinj.

Vendimi i dytë adreson një tjetër shqetësim, duke penguar rreptësisht përdorimin për çfarë do lloj arsye apo në çfarë do lloj forme të administratës për qëllime elektorale. Ky vendim nxit paanshmërinë dhe trajtimin e barabartë të kandidatëve në marrëdhëniet me administratën publike dhe burimet e saj.

Këto masa kanë një qëllim të vetëm, që këto zgjedhje të jenë më të mirat në historinë e demokracisë shqiptare, duke ofruar një transparencë të plotë dhe standartet europiane që do t’i hapin rrugën e negociatave të anëtarësimit vendit tonë.
VENDIM

PËR PEZULLIMIN E PËRKOHSHËM TË FILLIMIT TË PROCEDURAVE TË PROKURIMIT NGA NJËSITË E VETËQEVERISJES VENDORE DHE AUTORITETET KONTRAKTORE NË VARËSI TË TYRE, PËR VITIN 2019
Nё mbёshtetje tё nenit 100 tё Kushtetutёs, të neneve 16 e 40, të ligjit nr.9936, datё 26.06.2008, “Pёr menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, tё ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Kёshilli i Ministrave

V E N D O S I:
1. Pezullimin e përkohshëm të fillimit të procedurave të prokurimit nga njësitë e vetëqeverisjes vendore dhe autoritetet kontraktore në varësi të tyre, për vitin 2019.

Përjashtohen nga ky rregull:
– prokurimet me vlerë të vogël;
– procedurat e prokurimit që kanë si objekt produktet ushqimore.
1. Ngarkohen të gjitha institucionet e vetëqeverisjes vendore, institucionet në varësi të tyre dhe Agjencia e Prokurimit Publik për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

VENDIM
“Task-Forca, në bashkëpunim me titullarët e ministrive dhe grupet e monitorimit, të përmbushë detyrat, si më poshtë vijon:
a) Monitorimin e sjelljes dhe të veprimtarisë së administratës shtetërore, sipas këtij vendimi;

b) Monitorimin e administratës shtetërore në drejtim të përdorimit të autoritetit shtetëror vetëm në përputhje me ligjin duke mos lejuar përdorimin e burimeve njerëzore, financiare dhe logjistike të shtetit gjatë procesit zgjedhor si dhe duke mos lejuar kryerjen e veprimeve dhe/ose dhënien e premtimeve, favoreve apo moscenimin e të drejtave të shtetasve, si mekanizëm për favorizimin apo dhënien e votës një subjekti të caktuar politik apo kandidati;

c) Monitorimin e procesit zgjedhor me qëllim konstatimin dhe raportimin e përdorimit gjatë fushatës dhe procesit zgjedhor të mjeteve financiare nga burime të paligjshme apo të krijuara nga veprimtari të paligjshme;

ç) Monitorimin e procesit zgjedhor, përfshirë ditën e votimit, në funksion të mospërfshirjes në të të zyrtarëve apo personave të tjerë që ndodhen në institucione shtetërore, përfshirë personat e burgosur, dhe marrjen e masave për ndëshkimin e atyre zyrtarëve që veprojnë në kundërshtim me ligjin. Pjesë e kësaj detyre është edhe monitorimi i lëvizjes së nëpunësve të lartë dhe të mesëm shtetërorë në qendër dhe qarqe apo bashki gjatë procesit zgjedhor;

d) Monitorimin e përditësimit dhe ndjekjen e problematikave me listat e zgjedhësve;
dh) Monitorimin e zbatimit të masave për pezullimin e iniciativave për kontrata të përkohshme në nivel qendror e vendor;

e) Monitorimin e përditësimit të akteve të Komisionerit për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil;
ë) Njoftimin apo kryerjen e kallëzimit penal në Prokurorinë e Përgjithshme për raste të marrjes/vënies në dijeni për kryerjen e veprave penale në fushën zgjedhore;

f) Njoftimin e Avokatit të Popullit kur merr apo vihet në dijeni për kryerjen e shkeljeve të të drejtave të njeriut gjatë procesit zgjedhor;
g) Njoftimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve kur merr dijeni apo vihet në dijeni për problematika të procesit zgjedhor;

gj)Bashkëpunimin dhe bashkërendimin e punës me Policinë e Shtetit në funksion të marrjes së masave të menjëhershme në përputhje me ligjin kur konstatohen raste të sjelljeve apo veprimtarive të kundërligjshme gjatë procesit zgjedhor;

h) Çdo detyrë tjetër në funksion të monitorimit të zbatimit të këtij vendimi”,- thuhet në vendimin e qeverisë.

Artikulli paraprakDY KANDIDATË NGA LISTAT E PD PRANOJNË MANDATIN E DEPUTETIT
Artikulli tjetërGJYKATA LIRON KUNDREJT GARANCISE 25 MLN LEKË TE DENUARIN PER TJETËRSIM TË PRONAVE